2011-08-03 12:50:12

Më 3 gusht kalendari përkujton shën Lidien.


Lidia është fryti i parë i pjekur nën rrezet e diellit të krishterimit në Evropë. Ishte prozelite hebraike e jetonte në Filipi të Maqedonisë, ku Shën Pali Apostull, i shoqëruar nga Sila, Timoteo e Luka, pati shkuar gjatë shtegtimit të tij të dytë misionar, ndërmjet viteve 50 e 53. Shtëpia e Lidies u bë qendra e parë e bashkësisë të ndjekësve të Krishtit, pra Kisha e parë në Evropë, në të cilën apostujt takoheshin dhe u jepnin zemër vëllezërve. Ndonëse mungojnë të dhënat për kultin e Shën Lidies, që kujtohet në Martiriologun Romak, shenjtëria e saj është e qartë, sepse Lidia qe ndër të parat që iu përgjigj me gjithë zemër hirit hyjnor.
“Të shtunën – rrëfen Shën Luka në Veprat e Apostujve - dolëm jashtë portës dhe ecëm gjatë brigjeve të lumit, ku mendohej se do të gjendej një vend për lutje. U ulëm e filluam t’u flisnim grave, që ishin mbledhur për të na dëgjuar. Njëra nga ato, e quajtur Lidia, tregtare purpure, nga qyteti i Tiatirës, grua me frikën e Zotit, po na dëgjonte. Zoti ia hapi zemrën që ta kuptonte çka po thoshte Pali. Atëherë ajo kërkoi të pagëzohej, e bashkë me të u pagëzuan edhe njerëzit e tjerë të familjes, të cilët nisën t’i prisnin misionarët në shtëpinë e tyre si miq të dashur. Kështu Lidia u bë prototip e simbol i të gjitha grave, që ndezën brenda mureve shtëpiake, flakën e fesë në Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.