2011-08-03 16:58:28

Denoncim i ipeshkvit sudanez të El Obeid: në Malet e Nubës vijon spastrimi etnik.


“Mbi Malet Nubës vijon një spastrim i mirëfilltë etnik”. E denoncon këtë, përmes agjencisë Cisa, imzot Makram Max Gassis, ipeshkëv i El Obeid, në Sudanin veri-lindor. Gjatë një Meshe, kremtuar në Nairobi, në kujtim të imzot Çesare Macolarit, ipeshkëv i ndjerë të Rumbekut, vdekur më 16 korrik, prelati i ftoi të gjithë besimtarët të luten për popullsinë e Nubës dhe i nxiti mediat t’u krijojnë më shumë hapësirë ngjarjeve tragjike, që vijojnë në këtë vend. Në zonën e kufirit, edhe sot e kësaj dite mollë sherri ndërmjet Veriut e Jugut të Sudanit, nuk pushojnë sulmet e grupeve qeveritare verisudaneze. Viktimat e vërteta të bombardimeve janë popullsitë civile vendase, që vijojnë të ikin nga vatrat e tyre. Thuhet se po luftohet kundër ushtrisë për çlirimin e popullit sudanez (Spla), protagoniste e luftës së kaluar civile në Sudan, në sa kjo ushtri nuk ekziston më: vriten civilët, ndërmjet të cilëve, edhe më të ligshtit, fëmijët, gratë, pleqtë – ngre padi imzot Gassis
Sipas prelatit, pas pavarësisë së Sudanit Jugor, Khartumi nuk e ka aspak në mend të heqë dorë nga Malet Nuba, Abeit, Darfuri e zona e Nilit Blu, tejet të pasura me lëndë të para të çmuara, duke nisur nga nafta.
Për spastrim etnik flet edhe Xhon Ashvorth, këshilltar i Forumit Ekumenik për Sudanin. Sipas tij, e vetmja rrugëzgjidhje, është zhdukja nga skena politike e të gjithë liderëve të Sudanit Verior. Ashvorth pohon edhe se pas pavarësisë së Jugut, gjendja e jugsudanezëve, që banojnë në veri, vijon të keqësohet tragjikisht. Rrezikohet, madje, edhe vetë prania e Kishës, duke pasur parasysh se shumica e barinjve të krishterë janë me origjinë nga Jugu.







All the contents on this site are copyrighted ©.