Atë Jak Gardin, jezuit, në 15 vjetorin e vdekjes, rrëfyesi i kalvarit të Shqipërisë
gjatë komunizmit
Duke shfletuar kalendarin historik, sot përkujtojmë një ndër dëshmitarët e mbrojtësit
më guximtar e shembullor të Ungjillit e të vlerave njerëzore në Shqipërinë e pushtuar
nga ateizmi komunist, jezuitin atë Giacomo Gardin (24 shtator 1908 – 3 gusht 1996),
që shqiptarët e njohin me emrin Patër Jaku, në 15 vjetorin e vdekjes. Atë Jak Gardini
lindi në Prodolone të San Vito Taliamento, në krahinën italiane Pordenone, më 24 shtator
1905. Më 12 nëntor 1923, në moshën 18 vjeçare, hyri në Shoqërinë e Jezusit. Pas dy
vjetëve të noviciatit në Goricë dhe viteve të përgatitjes në filozofi, u transeferua
në Kieri (Torino), për të ndjekur kurset trivjeçare të filozofisë, sipas traditës
së jezuitëve. Më 1930 u nis për herë të parë në Shqipëri, ku për disa vite me radhë
dha mësim në Kolegjin Saverian. Gjatë këtyre viteve mësoi mirë gjuhën shqipe e njohu
thellësisht zakonet e vendit. U kthye në Kieri për të vazhduar studimet filozofike
dhe këtu u shugurua Meshtar më 15 korrik 1936 nga Kardinali Maurilio Fossati. Pastaj,
ndërmjet viteve 1937 e 1938 shkoi në Parei-le-Monial në Francë, për të kryer vitin
e fundit të rrugës së gjatë të përgatitjes për Shoqërinë e Jezusit, duke përfshirë
edhe vitin e tretë të provës. Më 2 shkurt 1941 Atë Gardin bëri kushtet e përjetshme.
Me këtë rast, në revistën “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit” (Korrik 1941, fq. 202-205)
u botua vjersha e nënshkruar me inicialet P. Gj., titulluar “Pagjë e dashtëní”, në
të cilën shkruhet. “Ty jetën t’kunorojnë / Pagja, dashtënia e gëzimi/ Ty shpirtin
ta naltojnë/ N’virtyte i shêjtë defrimi,/ E janë për ty dafina/ vuejtjet për qiellë
hyjrina// Për 20 vjet me radhë vazhdoi veprimtarinë e vet misionare në Shqipëri:
dhjetë vjet si meshtar e pedagog, mik i dashur dhe tepër i nderuar i shqiptarëve në
Shkodër e në Tiranë; dhjetë vjet të tjera ndër burgjet komuniste, i akuzuar nga diktatura
si armik i përbetuar i popullit shqiptar. Më 1955, si rezultat i marrëveshjes ndërmjet
Italisë dhe Shqipërisë, mundi të rifitonte lirinë dhe të kthehej në atdhe. Këtu shkroi
librin “Dieci anni di prigionia in Albania” - “Dhetë vjet burg në Shqipni” që u botua
më parë italisht më 1988 në SHBA, e më pas u përkthye në gjuhën shqipe nga Zef Nekaj
e Petro Vuçani dhe u botua në Romë më 1992, pikërisht atëherë kur Jezuiti besnik ndaj
misionit të tij, kthehej përsëri në Shqipëri për t’i shërbyer si Atë shpirtëror rinisë
katolike shqiptare e sidomos asaj rinie që, duke shprehur dëshirën të ndjekë rrugën
e meshtarisë, përgatitet në bankat e seminarit papnor të rilindur, për të vijuar misionin
e shenjtë e martirëve që derdhën gjakun për Krishtin në periudhën e komunizmit. Atë
Jak Gardini nuk është më mes nesh! Vdiq më 3 gusht 1996, në Gallarate të Italisë,
në atdheun e vet, ndonëse dëshira e tij e zjarrtë ishte t’i mbyllte sytë për dritën
e kësaj toke, në atdheun e dytë, në Shqipëri. Shumë gjëra i kujton shqiptarëve
emri i tij. I kujton Meshtarin e devotshëm, me cilësi të jashtëzakonshme për ta predikuar
e për ta jetuar Ungjillin e Krishtit. I kujton misionarin që u bë një me popullin,
të cilit kishte shkuar t’i shërbente, që ndau me këtë popull të mirën e të keqen,
që vuajti për të, që e deshi aq, sa as sëmundja e as mosha e shtyrë nuk e penguan
të ishte ndër të parët që u kthyen, kur u duk se po vinte pranvera e lirisë. Emri
i Atë Gardin-it i kujton shqiptarëve mësuesin e shquar, që për dhjetë vet rresht dha
mësim në Kolegjin e famshëm të Jezuitëve. I kujton njeriun e ekumenizmit, që edukoi
vëllazërimin e dashurinë ndërmjet njerëzve, pa dallim besimi. E i kujton edhe autorin
e veprës “Dhetë vjet burgim në Shqipní”, një ndër dëshmitë më të njohura mbi martirizimin
e klerit e të popullit shqiptar, që u shkrua e u botua kur Atdheu i dytë i jezuitit
misionar rënkonte ende pas perdes së hekurt. Përmes kësaj vepre Meshtari katolik tregonte
me gisht para botës krimet e diktaturës komuniste. Vepra në gjuhën italiane u
botua më 1986 në Romë nga “Civiltà Cattolica”, në gjuhën angleze, më 1988 në SHBA
dhe në gjuhën shqipe, më 1992, po në Romë. Vepra është përkthyer edhe në gjuhën kroate. U
shkrua pas kërkesave këmbëngulëse të eprorëve, të cilët me të drejtë mendonin se ishte
detyrë e atyre që kishin vuajtur ndër burgje e kampe përqendrimi të dëshmonin me shkrim
para popullit shqiptar e para botës se tmerret e diktaturës nuk kanë qenë një legjendë,
se puthadorët e saj, janë njollosur aq shumë me gjak të pafajshëm, sa nuk i lan dot
as ujët e oqeaneve! E Atë Gardini ishte i fundmi jezuit që delte i gjallë nga
ai kamp përqendrimi, në të cilin e kishin shndërruar komunistët Shqipërinë. Po ndërsa
ai kthehej përsëri në jetë, përtej brigjeve të detit vëllezërit e tij, jezuitët shqiptarë,
jetonin të shkapërdarë, të fshehur, gjithnjë me rrezikun e vdekjes mbi kokë. Nuk kishte
më as shtëpí rregulltarësh, as vepra të rregulltarëve; kishte mbetur vetëm kujtimi
i njerëzve, kujtim tepër i gjallë e ngacmues për një misionar si Atë Gardin-i, që
kishte shkrirë jetën pranë tyre. Provinca rregulltare e Italisë vite me radhë pati
dërguar në Shqipëri njerëz shumë të përgatitur dhe pati nisur vepra apostolike që
kishin një rëndësi të dorës së parë për katolikët dhe për mbarë popullin. Pastaj,
pa pritur gjithçka u ndërpre dhe u shlye nga një ideologji, e cila ushtronte ateizmin
më të pamëshirshëm. Misioni shqiptar u shpërnda. Nuk dihej më kush ishte gjallë e
kush kishte vdekur. Dukej se gjithçka kishte marrë fund një herë e përgjithmonë. Po
në heshtje Zoti përgatiste rikthimin e tij! Edhe Shqipëria u detyrua të ulte kokën
para logjikës së historisë e të hiqte dorë nga marrëzia që për një gjysmë shekulli
e kishte mbajtur të burgosur. Këto gjëra mësojmë nga libri i Atë Gardin-it, që
është konceptuar në pesë kapituj, të cilët flasin për: Arrestimin e procesin; Gjendjen
e Kishës; Burgun; Kampin e përqendrimit dhe përfundimin e burgimit, ngjarje që shtrihen
në vitet 1945-1955. Libri mbyllet me predkun e atë Gardin-it në Meshën solemne
të Paqës me rastin e përkujtimit të 40-vjetorit të salvimit fetar në Shqipëri, kremtuar
në Kishën e Shën Injacit në Kaliforni më 13 prill 1985, pas të cilit radhitet Letra
që Shenjtëria e Tij, Gjon Pali II i drejton Atë Gardinit si dhe epilogu i veprës. Është
një rrëfim i thjeshtë e i sinqertë, i shkruar me ton të butë, pa kurrfarë ndjenje
urrejtjeje apo dëshire hakmarrjeje për salvimin e padrejtë. Jezuiti nuk mëton të shkruajë
historinë e këtyre viteve të zymta e të përgjakshme, të gjykojë fakte e persona, e
as të analizojë gjendjen e të krahasojë ideologjitë; ai ka për qëllim vetëm të shprehë
përvojën e vet, përshtypjet e veta. E di mirë se nuk është duke treguar ngjarje të
bujshme historike, por beson se tregimi i përvojës së vuajtjeve të tij njerëzore,
do ta ndihmojë lexuesin të kuptojë se ç’ngjet gjithnjë në botën e sotme. Nga ana tjetër
i kujton detyrën që të përpiqet për të shëruar sëmundjet e rënda nga të cilat vuan
bota e sotme. Gjatë tregimit, autori përshkruan shumë klerikë e laikë të tjerë
katolikë që vuajtën bashkë me te, sidomos ata që flijuan jetën në elterin e fesë,
të lirisë e të atdheut. “Kujtimi i gjakut të derdhur nga martirët e asaj periudhe
të tmerrshme për Kishën katolike shqiptare, si dhe kujtimi i vuajtjeve të pësuara
nga Atë Gardin-i e nga shumë dëshmitarë të tjerë të fesë- siç shkruan Papa Gjon Pali
II më 5 tetor 1980,- i ndihmon Kombit të varfër në kamje, por tepër të pasur në tradita
qytetare e fetare, “të shembur përdhe nga persekutimi i egër dhe i gjatë, por të lartësuar
nga dëshmitë e martirëve të vet , tani që ka kaluar provën e dhimbshme, t’ia hapë
përsëri, pa frikë, dyert Krishtit, për të mirën shpirtërore e materiale të popullit
të shumëvuajtur”.Përfundimi logjik në të cilin arrin Atë Gardin-i pasi rrëfen dhjetë
vjetët e burgimit, tingëllon si ftesë për reflektim, për të mos harruar se “Zoti nuk
e turbullon kurrë gëzimin e bijve të vet, pa pasur si qëllim t’u përgatisë një gëzim
tjetër, edhe më të madh!”