Aleksandër Sollzhenicin, disidenti i Arkipelagut Gulag.
Si sot një tre më parë, vdiq gjatë natës së 3 gushtit 2008 në shtëpinë e tij në Moskë
Aleksandër Sollzhenicin, në moshën 89 vjeçare, përfaqësuesi më i shquar i disidencës
sovjetike. Shkrimtari Rus, Aleksandër Sollzhenicin, lindi në vitin 1918, Nobel për
Letërsinë më 1970. Figurë e madhe e disidencës sovjetike, që guxoi t’i kundërvihej
Stalinit gjakatar, Sollzhenicin shkroi veprat kryesore kushtuar kampeve të përqendrimit,
ndërmjet të cilave, kryevepra “Arkipelagu Gulag”, trilogji, gjysmë autobiografike
e gjysmë historike, përkthyer jashtë Rusisë, në vitin 1974, përkthim që i kushtoi
shkrimtarit njëzet vjet internim. Më pas edhe dëbimin nga vendi. Atëherë disidenti
i madh shkoi në Zvicër e më pas në SHBA. Sollzhenicin, që u takua me Papën Gjon
Palin II në tetor 1993, u rikthye në atdhe pas ndryshimeve të viteve ’90, vijoi t’i
kundërvihej regjimit të ri, duke vërejtur se nuk mund të flitet për kërcënime kundër
demokracisë, në një vend ku demokracia nuk ekziston fare. Ikonë e disidencës sovjetike
dhe e antikomunizmit, me vdekjen e Aleksandër Sollzhenicinit, letërsisë ruse i mungon
shkrimtari më i madh bashkëkohor, njeriu që me guxim të pashoq e dashuri të pakufishme
për të vërtetën, i tregoi botës turpin e Gulagëve, kampeve të përqendrimit, ku vdiq
ajka e mendjes ruse. E Sollzhenicin e njohu nga afër këtë realitet, ku jetoi tetë
vjet, i akuzuar si tradhtar i Atdheut në vitin 1945 e ku lindën veprat, që do t’i
siguronin çmimin Nobel. Në se nuk do ta kishim ‘Arkipelagun Gulag’ dhe veprat
e tij të tjera, nuk do ta kuptonim të vërtetën mbi Bashkimin Sovjetik. Prandaj duhet
t’i jemi mirënjohës për këtë: kujtoj një profeci që bëri dikush, kur po e dëbonin:
“Pas disa vjetësh asnjeri nuk do të kujtohet më për krizën në të cilën jetojmë, por
të gjithë do ta kujtojnë figurën e ndritur të të persekutuarit Sollzhienicin!”. Aleksandër
Sollzhenici, intelektuali i shquar rus, tregon për një njeri që takoi në një kamp
përqendrimi në Bashkimin Sovjetik. Ky njeri i thjeshtë gjithmonë rrezatonte qetësi,
gëzim, dhe kishte një qëndrim vëllazëror. Kur Sollzhenici kërkoi të gjente burimin
e kësaj sjelljeje kaq të paqtë, vuri re se çdo mbrëmje kur shtrihej në shtrat ai nxirrte
nga xhepi copëza letrash në të cilat ishin shkruar vargje nga Shkrimi i Shenjtë. Këto
fjalë e kishin transformuar këtë njeri nga një të burgosur, të pashpresë, të egër,
të inatosur, në një njeri të dashur, të mirë dhe të qetë e në paqe. Kjo pra, është
fuqia transformuese që ka Bibla për çdo besimtar! Këtë duhet të kuptojmë edhe ne sa
herë që marrim për ta lexuar e medituar atë.