2011-08-03 12:50:21

Aktivitetet verore të bashkësisë Saleziane në Prishtinë.


Edhe sivjet gjatë muajit korrik, Salezianët e Prishtinës organizuan për fëmijë e të rinj të ‘Qendrës Edukative Sociale Don Bosko’ aktivitete të ndryshme argëtuese e formuese. Më hollësisht nga Prishtina na njofton Rabie Ibraj....RealAudioMP3

Aktivitetet verore në Qendrën Edukative Sociale ‘Don Bosko’

Bashkësia Saleziane në Prishtinë në çdo stinë të verës u dhuron fëmijëve e të rinjve shumë gëzime. Qendrën Edukative Sociale çdo ditë të muajit korrik e kanë frekuentuar rreth 350 fëmijë grupmoshash të ndryshme, për të cilët u përkujdesen koordinatori don. Izidor Llukiq dhe 40 animatorët, që punuan në grupe. Janë këta fëmijë me gjendje jo të mirë sociale dhe përmes aktiviteteve e lojërave verore, iu ofrohet atyre argëtim, mësim dhe edukim i drejtë, në mënyrë që të bëhen të ndershëm e të dobishëm për familjen, shoqërinë e vendin, gjithnjë sipas shembullit të ‘Don Boskos’. Fëmijët janë bërë protagonistë të lojërave me figura të njohura me plotë ngjyra, e po ashtu janë shfaqur edhe filma për moshën e tyre. Janë zhvilluar edhe aktivitete garuese në fusha të ndryshme si në sport, pikturë, aktrim, e not, nëpër pishina të ndryshme në Prishtinë e jashtë saj, nuk kanë qenë të rralla as ekskursionet në natyrë, gjithçka e organizuar me plan e program dhe gjithçka ka përfunduar mirë. Për një muaj rresht, jemi mbushur me emocione sepse çdo ditë në sytë e fëmijëve kemi parë gëzimin e harenë, brenda ‘Qendrës’ e jashtë saj, dhe çdo ditë ka qenë një mrekulli në vete, sepse fëmijët vinin të lumtur dhe të tillë ktheheshin në shtëpi, ky dhe ishte qëllimi ynë, atyre t’u dhurojmë lumturi dhe t’i bëjmë vërtetë të lumturuar, thotë koordinatori don Izidor Llukiq.
Në fund të muajit, aktivitetet verore me fëmijë shqiptarë pa dallim besimi dhe të komuniteteve tjera bashkë me prindërit e tyre janë kurorëzuar me një program artistik dhe koktej rasti, i cili ka zgjatur me orë të tëra. Prindërit janë ndarë shumë të kënaqur me të gjithë atë që u është ofruar fëmijëve të tyre dhe kanë falënderuar ‘Qendrën Don Bosko’ për këtë mundësi-dhuratë të Zotit që u jep atyre sa herë që vjen korriku. Aktivitetet verore i ka përmbyllur don Matteo Di Fiore, drejtor i ‘Qendrës Don Bosko’, me përshëndetjen “Mirupafshim” në korrikun e vitit të ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.