2011-08-01 16:31:14

Ramazani: urimet dhe afërsia shpirtërore e Vatikanit me ‘vëllezërit myslimanë’


Fillon sot në botën myslimane Ramazani, muaji i agjërimit, njëri ndër pesë shtyllat e Islamit. Një muaj i veçantë urate, dashuria, bamirësie e solidariteti me të varfrit. Gjatë këtij muaji, besimtarët e fesë Islame janë të angazhuar në lutje, në agjërim, në ndihmën e më nevojtarëve dhe në forcimin e lidhjeve mes të afërmve dhe miqve. Hyji nuk do t’i lerë pa i shpërblyer këto përpjekje!Ta dëgjojmë urimin e imzot Pier Luigi Celatës, president i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.
"Për myslimanët praktikantët – siç e dimë – muaji i Ramazanit është posaçërisht i rëndësishëm si në aspektin personal e familjar, si dhe në atë shoqëror në përgjithësi. Myslimanët janë të ftuar, gjatë këtij muaji, ta rizbulojnë më në thellësi marrëdhënien e tyre me Zotin dhe me vetveten, e këtë përmes agjërimit dhe lutjes, pastaj t’i kërkojnë Zotit dhuratën e përdëllimit për t’ia dhuruar të tjerëve, e të japin lëmoshë e të kujdesën për marrëdhëniet ndërpersonale. Vëllezërve tanë myslimanë u sigurojmë para së gjithash afërsinë tonë shpirtërore, me urimin që të mund të realizojnë gjithë atë që zemra e tyre si besimtarë në një Zot të vetëm dëshiron për vet ata dhe për të gjithë njerëzit, një vëmendje më të madhe ndaj të varfëve e të mënjanuarve, një solidaritet më të madh, respektin për jetën e të gjithëve dhe paqen".
Kisha katolike çdo vjet dërgon një mesazh urimi për përfundimin e Ramazanit: një shenjë miqësie e dialogu me botën myslimane...
"Po, Këshilli Papnor për dialogun ndërfetar dërgon, çdo vit, për Id al-fitr – mbylljen e muajit të Ramazanit – një mesazh përgëzimi e urimi myslimanëve. Në realitet jemi duke dërguar mesazhin për përfundimin e këtij Ramazani, që posa ka filluar. Mesazhi, si zakonisht do të ketë si përmbajtje, urimet, përgëzimet dhe një reflektim mbi një temë të veçantë me interes të përbashkët".
Ky muaj i Ramazanit është i rëndësishëm për jetën e bashkësisë myslimane dhe i jep secilit besimtar një forcë të re në jetën personale, familjare dhe shoqërore. Ka rëndësi në fakt që secili ta dëshmojë mesazhin fetar e shpirtëror përmes një jete gjithnjë e më të ndershme dhe në përputhje me planin e Krijuesit, me shqetësimin për t’u shërbyer vëllezërve të tij dhe në solidaritet dhe vëllazëri gjithnjë e më të madhe me anëtarët e feve të tjera dhe me të gjithë njerëzit vullnetmirë, me dëshirën për të punuar së bashku për të mirën e përbashkët.

Në epokën e trazuar që ne po kalojmë, anëtarët e feve kanë mbi të gjitha detyrën për të punuar, si shërbëtorë të të Gjithëpushtetshmit, në të mirën e paqes, e cila kalon përmes respektimit të bindjeve personale dhe kolektive të secilit, si dhe përmes lirisë së ushtrimit të fesë.

Liria e fesë, e cila nuk reduktohet thjesht në lirinë e kultit, është në fakt njëra prej aspekteve thelbësore të lirisë së ndërgjegjes, e cila i përket çdo njeriu dhe është guri i këndit i të drejtave njerëzore. Vetëm duke mbajtur parasysh këtë do të mund të ndërtohet një kulturë paqeje dhe solidariteti mes njerëzve, dhe që të gjithë do të mund të angazhohen vendosmërisht për ndërtimin e një shoqërie gjithnjë e më vëllazërore, duke bërë gjithçka është në dorën e tonë për të refuzuar dhunën e çfarëdo lloji qoftë ajo, e cila nuk mund të ketë kurrë motivacion fetar, sepse ajo dhunon shëmbëllesën e Zotit që mbart çdo njeri.







All the contents on this site are copyrighted ©.