2011-08-01 17:01:50

Papa në Engjëllin e Tënzot: “Nuk duhet harruar njeriu, që ka uri e etje”.


(01.08.2011 RV)Nuk i lejohet askujt të jetë indiferent përballë tragjedisë së njerëzve, që kanë uri e etje: kështu u shpreh Papa dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke e sensibilizuar përsëri opinionin botëror për gjendjen katastrofike të popullsive në Bririn e Afrikës. Dje, kur Ungjilli i së dielës fliste për mrekullinë e shumëzimit të bukëve e të peshqve, Benedikti XVI kujtoi se Krishti, tejet i vëmendshëm ndaj nevojave materiale, i inkurajon të gjithë për ta ndarë bukën me nevojtarët. Papa kujtoi edhe Shën Injacin e Lojolës, festa liturgjike e të cilit u kremtua dje nga Kisha katolike.
Pasojat e thatësirës në Bririn e Afrikës vijojnë të rëndohen më tej nga lufta e nga mungesa e institucioneve të qëndrueshme. E nënvizoi Papa, duke kujtuar një numër gjithnjë më të madh vëllezërish e motrash, që në këto ditë të nxehta edhe për viset larg Afrikës, vuajnë tmerrësisht, e jo vetëm nga vapa përvëluese, por edhe nga pasojat e saj. Krishti – nënvizoi Papa – na kujton përgjegjësitë tona: të bëjmë gjithçka është e mundur për t’i ndihmuar ata, të cilët vuajnë nga uria e nga etja. Në këtë kohë pushimesh - porositi Ati i Shenjtë – nuk duhet t’i harrojmë të tjerët, që ravgojnë duarthatë në shtigje të djegura nga dielli. T’i hapim duart e zemrat, për t’i ndihmuar, sepse kalojnë çaste të rënda prove.
Gjatë përshëndetjes në gjuhën polake, duke kujtuar Ungjillin e djeshëm, kushtuar shumëzimit të bukëve e të peshqve, Benedikti XVI pohoi: “Krishti e ushqen turmën e uritur, por me këtë gjest nuk na jep recetën e nevojshme për të shuar urinë e popujve të botës; nuk e zgjidh as dramën e urisë, që vijon në rrjedhë shekujsh. Por na kujton se është e ndaluar të rrimë duarlidhur, të shikojmë me sy indiferent, njeriun që vuan:
“Krishti është i vëmendshëm përballë nevojave materiale, por dëshiron të na dhurojë diçka më shumë, sepse njeriu ka gjithnjë uri për diçka më shumë, ka nevojë për diçka më tepër. Në bukën e Krishtit është e pranishme dashuria e Hyjit; në takimin me Të, mund të themi se ushqehemi me Hyjin e gjallë, hamë me të vërtetë ‘bukën që zbret nga qielli”.
Mrekullia – shpjegoi Papa – qëndron në ndarjen vëllazërore të atyre pak bukëve të cilat, pasi i besohen pushtetit të Hyjit, jo vetëm që mjaftojnë për të gjithë, por edhe teprojnë, aq sa të mbushen dymbëdhjetë shporta. Shporta, që Zoti, pastaj, ua beson dishepujve:
Zoti i nxit dishepujt t’ia shpërndajnë ata vetë bukën turmës, në këtë mënyrë i stërvit e i përgatit për misionin e ardhshëm apostolik: duhet t’ua çojnë të gjithëve ushqimin e Fjalës së jetës e të Sakramenteve”.
Në Eukaristi, Jezusi na bën të gjithë ne dëshmitarë të mëshirës së Hyjit për çdo vëlla e motër e kështu – shpjegoi Benedikti XVI - rreth Misterit eukaristik, lind shërbimi i bamirësisë për tjetrin, të afërmin:
“Na e dëshmon këtë edhe Shën Injaci i Lojolës, themelues i Shoqërisë së Jezuitëve, të cilin Kisha e përkujton sot. Injaci zgjodhi rrugën e një jete, që e shtyu ta kërkojë Zotin në të gjitha sendet, duke e dashur Atë në të gjitha krijesat”.
Në këtë lutje të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Kastel Gandolfo, Papa u drejtoi besimtarëve ftesën, shprehur në disa gjuhë, për vepra bamirësie e ndarje të përbashkët të të mirave materiale e shpirtërore.
Në gjuhën frënge pohoi: “Fjala e Zotit na kujton se çdo njeri ka nevojë të përhershme për bukë e për ujë”.
Në anglisht, ftesa drejtuar të krishterëve për t’u bërë një me Krishtin në Eukaristi.
Në gjuhën spanjolle, thirrja për ta parë Zotin si ushqimin e vërtetë e kryesor të jetës.
Gjermanisht Papa sintetizoi shumë të vërteta feje, duke theksuar se ajo, që na ushqen me të vërtetë e për të cilën kemi etje të pashuar shpirtërore, është dashuria, nga e cila buron paqja. Këto gjëra – kujtoi në vijim - nuk shiten e as nuk blihen në treg: mund t’i pranojmë vetëm si dhuratë. E mundësia për të marrë dhurata bëhet gjithnjë më e madhe, pikërisht kur dhurojmë. Kur mësohemi të dhurojmë, atëherë sigurisht që nuk do të na mungojnë edhe ne dhuratat.
Në italisht, Benedikti XVI i drejtoi një përshëndetje të veçantë një grupi motrash, Bija të Zojës Ndihmëtare, që kremtonin 25-vjetorin e kushteve të përjetshme:
“.. një përshëndetje të përzemërt mirëseardhjeje Motrave Bija të Zojës Ndihmëtare, ardhur nga zona të ndryshme të Italisë, njëherësh me urimet për 25-vjetorin e jetës së tyre rregulltare”.
Benedikti XVI e përfundoi lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar se dje, në Kastel Gandolfo, kremtohej “Festa popullore e vjeljes së pjeshkëve” e duke i uruar suksese kremtuesve e kremtimit, organizuar nga Administrata komunale, në bashkëpunim me famullinë e me qytetarët. Të gjithëve, urimi i përzemërt: “Të diele e javë të gëzuar!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.