2011-08-01 15:53:52

Në Siri vazhdon masakra. Londra, dakord për ndërhyrje


Në Hama të Sirisë nuk ndalet masakra e forcave të sigurisë kundër popullsisë së pambrojtur, ndërsa bashkësia ndërkombëtare vazhdon të diskutojë mbi mundësinë e ndërhyrjes së armatosur. Bashkimi Evropian i kërkoi OKB-së të mbajë qëndrim të qartë për këtë.
Pas kasaphanës së djeshme, në të cilën vdiqën 136 vetë, sot, në ditën e parë të Ramazanit, muaj i shenjtë për myslimanët, autoblindat e presidentit Bashar al Asad vazhduan të qëllojnë kundër qytetit rebel, 200 km në veri të Damaskut. Edhe Rusia, tradicionalisht aleate e Sirisë, ngriti zërin kundër përdorimit të dhunës ndaj civilëve dhe kërkoi ndalimin e menjëhershëm të saj.
Që dje, Italia e Gjermania kërkuan një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa Britania e Madhe hodhi idenë e ndërhyrjes së armatosur. Ministri i jashtëm, Uiliam Hag hamendësoi një rezolutë të ngjashme me atë për Libinë, por sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen deklaroi për një gazetë franceze se ndërmjet Libisë e Sirisë ka ndryshime. “Në Libi – sqaroi ai – jo vetëm kryejmë një operacion me mandatin e qartë të OKB-së, por mbështetemi edhe nga vendet fqinje. Këto dy kushte nuk plotësohen në Siri”. Ndërkaq, zyra e Përfaqësueses së Lartë evropiane për Politikën e Jashtme, Kathrinë Eshton shpalli sot shtrirjen e sanksioneve në fuqi kundër eksponentëve të tjerë të regjimit sirian.
Në frontin e brendshëm, po sot, në një fjalim të presidentit sirian me rastin e 66-vjetorit të themelimit të ushtrisë, mbërriti edhe lavdërimi makabër i Bashar al Asadit për trupat, që “mundën armikun”.







All the contents on this site are copyrighted ©.