2011-08-01 17:04:08

Gusht 1991: Bari kujton 20 mijë shqiptarët, që erdhën në Itali me anijen “Vlora”


Një javë me art, kulturë, shfaqje e sport në emër të vëllazërimit ndërmjet dy popujve, atij italian e atij shqiptar. Me një aktivitet, që mban emrin “Misioni Vlora”, Bari kujton 20-vjetorin e mbërritjes së rreth 20 mijë shqiptarëve, nisur nga Durrësi me anijen Vlora e mbërritur në Itali më 8 gusht 1991.

Më rënien e komunizmit, nga Shqipëria iknin vazhdimisht emigrantë me çdo lloj mjeti, sidomos për në Brindizi, por zbarkimi i shqiptarëve të anijes “Vlora” qe një ngjarje historike e dramatike, e cila zgjoi polemika të jashtëzakonshme në Itali. Menjëherë pas mbërritjes, 20 mijë emigrantët u mbyllën në stadiumin e qytetit, nën diellin përvëlues, duke e shkatërruar atë pothuaj krejtësisht.

Më 5 gusht, do të jetë në Bari, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, i cili do t’i japë qytetit bregdetar Medaljen e Falenderimit, për të nënvizuar nivelin e integrimit të shqiptarëve të anijes “Vlora” me banorët vendas. I pranishëm balerini shqiptar Kledi Kadiu, i cili pati ardhur në Itali pikërisht me anijen, që zbarkoi në Pulja në verën e 1991-shit, por edhe poeti Visar Zhiti, muzikanti Zhani Ciku e shkrimtari Lutfi Guri, ish-kampion shqiptar i 100 e 200 metrave, ish-komisar teknik i kombëtares shqiptare të atletikës. Ndër aktivitetet, që filluan sot e përfundojnë më 8 gusht, një ekspozitë, lexime poezish, shkëmbime përvojash, shfaqje artistike e një maratonë 8 km.







All the contents on this site are copyrighted ©.