2011-08-01 17:09:14

Dom Ndre Mjeda e veprat e tij më pak të njohura, ato fetare


Meshtari, Poeti e gjuhëtari i madh, që mbeti në kujtesën e popullit si këngëtari i "Bylbylit në kafaz", i "Rinisë" e i "Andrrës së jetës", një ndër fytyrat më të ndritura të gjuhës, letërsisë e kulturës shqiptare, dom Ndré Mjedja u lind në Shkodër, më 20 nëntor 1866 e vdiq po në Shkodër më 1 gusht 1937.
Tërë jetën dom Ndré Mjedja ka përshkuar nëpër rrugët e pafundme të botës së madhe, nga Lavali i Francës, në Manrezë të Spanjës; nga Kraljevica e Jugosllavisë në Chieri të Italisë, nga Krakovia e Polonisë në vendlindje e në fshatin Kukel. Shumë e njohur është veprimtaria e Mjedës, që nuk bën pjesë në të mohuarit, por në të keqinterpretuarit e Letërsisë shqipe. Në veprën “Jezuitët Martirë në Shqipëri” botuar pak vjet më parë nën kujdesin e Jezuitit italian Atë Armando Guidetti, me të drejtë shkruhet: “ Po të ishte gjallë dom Ndré Mjedja do të shkumbëzonte nga përçmimi kundër atyre që kanë guxuar të vënë në dyshim ortodoksinë e tij katolike e tomistike, teologjike e filozofike”.(“Gesuiti Martiri in Albania”, Cusano Milanino, Febbraio, 1966, fq. 45)
Prandaj duke e përkujtuar sot në përvjetorin e vdekjes, po vëmë theksin mbi veprat e tij më pak të njohura, ato fetare.
Ndonëse shumica e veprave fetare të Mjedës janë përkthime apo përshtatje, mund të themi me plot gojën se me to Meshtari e Poeti shqiptar dha një ndihmesë të shquar për vazhdimin e traditës katolike të përkthimit si dhe të prozës shqipe.
Ndër veprat fetare të Dom Ndreut mund të përmendim: “Jeta e Shęjtit Shë Njon Berkmansit” që e përshtati prej italishtes më 1888, kur ishte vetëm 22 vjeç; “Të Pergiámit e Zojës së Bekueme”, përshtatur prej spanjishtes më 1892, e ribotuar më 1927; “Lumnít e Zojës” përshtatur prej italishtes, botuar më 1929; “Devocioni i Zemrës së Jezu Krishtit”, përshtatur prej frëngjishtes më 1931; “Katekizmi i Madh” përshtatur prej italishtes.
Ribotoi edhe 14 Ligjërata të Imzot Pjetër Bogdanit, të cilat i pajisi me një parathënie të vetën me titull: “Jeta e së Lumes Virgjin Mërí nxjerrun prej veprës “Cuneus Prophetarum”.
Pas këtyre përkthimeve, shkroi veprën origjinale “Shën Luigj Gonzaga, Projsi i pergjithtë i moshës së rë". Në XXI kapituj tregohet jeta dhe vepra e Shenjtit që u shpall nga Papa Pio XI “Pajtor i rinisë” e të cilin Kisha katolike e kremtoi pikërisht sot më 1 gusht, në një përkim pravanor me vdekjen e dom Ndreut, ndërsa në kapitullin e XXII e të fundit botohet Letra Apostolike që Piu XI i drejtoi Eprorit Gjeneral të Shoqërisë së Jezuitëve me rastin e kremtimeve të dyqindvjetorit të shenjtërimit të Shën Luigjit, përmes së cilës, siç thotë ai vetë, ka për qëllim t’i flasë mbarë moshës së re.
Në kreun e parë - siç e quan Mjedja, lexojmë: “Luigj Gonzaga! Ęmen qi ká mbushë tokën me fatosa e qiellen me ęjë; që ka begatë bashtinën e Jezu Krishtit me punëtorët mâ të vjefshem; qi ká bâ me lulëzue nder kolegja e nder kuvende zamakët mâ të kândshem të nji pastrís ęjëllore; qi ká xë mjeshtrat mâ të mëdhaj të harteve të bukra, me shkrí dijen e mjeshtrín e vet me përhapë fëtyren e tij në të kater anët e botës; me ndertue ltërna e kisha gjithkű permęndet fëja e Krishtit, prei qândres së Kështęnimit në Romë, e deri në mâ të largtin katund ndertue rishtas prei gjindsh, qi vllaznit e tyne të gjytetnuem kerkuene nder pyje të páshteg, nder shkretína të mndërshme të Afrikës e t’Amerikës, e joshne me u mbledhë së bashkut , për të paren herë me kalue nji jetë njerzore; emën që lëshon nji erë të kandshme në zemrë të nanave, qi hitasin me ju vú at’ęmen fëmijvet, qi të jenë shembull urtijet, kënaqja e zemrave e ndera e shtëpisë së tyne.
Në kreun XXII të librit, që titullohet “Zani i Shęjtit Atë Papë” shpjegohet edhe arsyeja që e shtyu Mjeden lirik e gjuhëtar, t’i kushtonte aq shumë kohë biografisë së një Shenjti: ...me ndjekë shembullin e Luigjit, do me thânë me i pergiá e me shkue mbas gjurmëve të tija: bisedat e mira, dishiri per Misjone shęjte, mësimi i të vertetave të Fës, e veprat e mëshirshme gjithnduersh - s’kishte me u lypë tjeter veç njikaq prej moshës së rë katolike, per me persritë Apostullimin e Luigjit, simbas nevojëve të soçme... (gjâ qi do të ndikonte në mënyrë vendimtare – shënimi ynë) per mirërritjen e pshtimin e të ríve, sidomos në ket kohën tonë plot me rreziqe per ta...- shkruhet në Letrën Apostolike të Shenjtit Atë Papë.
Një tjetër vepër me karakter fetar është “Historia Shejte” kryevepër e llojit, që bashkon gjuhën e stilin popullor e atë të kultivuar njëherësh.
Vepër e Mjedës është edhe një nga librat më të njohur e më të përdorur të uratëve, apo, siç quhet nga populli, oficja: “Vizari Shpirtnuer”, e cila përmbledh lutjet e këngët kryesore të Kishës dhe përdoret edhe sot nga besimtarët.
Duke lexuar veprat me tematikë fetare të Dom Ndre Mjedës së madh, ndjejmë gati gati po atë kënaqësi që buron nga kryeveprat e tij lirike. Në kohën tonë kur libra si të Mjedës janë tepër të rrallë, kur Kisha ka aq nevojë për kryevepra fetare e kur nuk ka mundur të nxjerrë ende nga gjiri i vet një Mjedë a një Fishtë, për shkak të viteve të shkatërrimit të madh, mendojmë se do të ishte mirë të ribotoheshin veprat më të realizuara të traditës, si bie fjala “Shën Luigj Gonazaga” ose “Historia Shejte”, shkruar me dorë mjeshtri, artisti e shkencëtari, vepra që do të zgjonin interesimin e jashtëzakonshëm që kanë treguar e tregojnë besimtarët e posaçërisht rinia katolike shqiptare për Kishën e për figurat e saj të mëdha.
Nga poezitë e Dom Ndre Mjedës
Gjuha shqipe
Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m'shungullon
përmbi er' që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.
Ndër komb' tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m'rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.
Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan' të bukra me themel
por prap' kjo, si diell pa hije,
për mue t'tanave iu del.
................................
Ku n'breg t'Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.
Geg' e tosk', malsi, jallia
jan' nji komb, m'u da, s'duron;
fund e maj' nji a Shqipnia
e nji gjuh' t'gjith' na bashkon.
Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak' e shkrime
çka natyra vet' përpoq.
Por me gjuhë kaq t'moçme e mjera
si nj'bij' kjo që pa prind mbet:
për t'huej t'mbajshin dhenat tjera,
s't'kishte kush për motër t'vet.
E njat tok' që je tue gzue,
e ke zan' tash sa mij' vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.
Ti ulesh prej Parrizit,
O Zot e Mbret lumnie,
E n’ tokë vjen me u bâ nieri
Vetëm prej dashtënie:
Aq i dashtun je për né
Sa n’ një shpellë ti vjen me lé!
O Zot i lum,
Unë s’e kam dijtë se ti ne
T’ shkretët na don kaq shumë.
Për ty, që rruzullimin,
Gjithmbarë e ke krijue,
S’janë gjetë as shtëpí, as petka
E zjarmi t’ ka mungue.
Tash asht dimën, akull, borë,
Me qindrue njashtu asht zor.
O djalë i shkretë!
Prej së ftoftit ti po dridhe,
Po dridhe e po bërtet!
O Biri i të Naltit Zot,
Ti pate gjithë lumninë,
Por deshtas e ke lanun
E kapë ke vorfëninë;
Pra pse kjanë e pse gjimon,
Kurrkush ty s’ po t’ ankon:
Ti don me m’ m’sue
Se pa durim nuk mundet
Kurrkushi me u shëlbue.
Ne disha gja, ti fshanë
E kján, o bukurí,
Përse si duhet nieri,
S’ ta din gjithë atë dashtëní;
Vesht e mora, unë i ngrati,
Se at’ mundim ta nep ty m’kati;
O m’kat i mallkue!
Por, ti, o Zot, m’ fal!
M’ fal se jam pendue!
Ti flén përmbi atë grazhd,
O i lumi djalë plot hír.
Por zemrës me marrë gjumë
I del fort punë e vështirë.
Zemra e jote pse po l’ngon?
Natë e ditë çka po mendon?
Unë tjetër s’po mendoj
Veçse me dekë për nierin,
Me dekë që ta shëlboj!
Me lé e me dekë për mue,
Dashtënia t’ ka shtërnguemun:
E vetë, pa dashtë, o Jezu,
Si mundemi me rrnuemun?
Shpresa e eme, o Virgjina Mrí,
Me dashtë Krishtin n’se nuk e dí,
Ty t’ kjosha true:
M’ m’so gjithmonë me e dashtun,
Me e dashtë e me e lavdue!
Krijim i Alfons Maria de Liguorit; përshtatur në gjuhën shqipe nga dom Ndre Mjedja. Marrë në oficen “Visari shpirtnuer”.
Vaji i Bylbylit
Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?

Pushoi murlani
Me duhi t'vet;
Bylbyl i vorfën,
Çou mos rri shkret.

Gjith fushët e malet
Blerim i mbëloj;
Livadhi e pema
Gjithkah lulzoj.

Ndër pyje e orgaja,
N'ma t'mirin vend,
Me rreze dielli
Po e gëzon gjith'kend.

E tuj gjimue
Shkon rreth e rreth
Nji prrue qi veret
Rrjedh nëpër gjeth.

A çilë kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e orgaja,
Bylbyl, shpejto.

Kerkush ma hovin
Atje s'ta pret,
Me zeher haejen
Kerkush s'ta qet.

Kafaz ke qiellin,
Epshin pengim,
E gjith ku t'rreshket
Shkon fluturim.

Nëpër lamije
Ke me gjet mel,
Për gjith'prendverën
Njajo buk t'del.

E kur t'zitë edi
ndër prroje pi,
Te njato prroje
Qi ti vetë di.

Tash pa frigë çerdhen
E ban ndoj lis;
Nuk je si'i nieri
Qi nuk ka fis

E kur t'vin zhegu,
Kur dielli shkon,
Ti ke me këndue
Si ke zakon.

Rreth e rreth gjindja
Me t'ndie rri;
Prej asi vendit
Dahen me zi.

A çilë kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.

Ndër drandofille,
Ndër zamakë nga;
Ku qeshet kopshti,
Idhnim mos mba.

Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Biylbyl i vorfën ,
Pse po gjimon?

Lirija
- I -
O shqype, o zogjt' e maleve, kallxoni:
a shndritë rreze lirie n'ato majë;
mbi bjeshkë t'thepisuna e n'ograjë,
ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?
A keni ndie ndokush, kah fluturoni
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj,
A keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqype, o zogjt' e maleve, kallxoni!
Lirim, lirim, bërtet gjithkah Malcija;
A ka lirim ky dhé që na shklet kamba,
a veç t'mjerin e mblon anembanë robnija?
Flutro, shqype, flutro kah çilet lama,
siellju maleve për rreth që ka Shqypnija,
e vështroje ku i del lirimit ama.
.................................
- VI -
Por nuk u shuejti edhe, jo, Shqyptarija:
Lodhun prej hekrash që mizori i njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënija.
E kqyrë: Ndër male po përhapet shkëndija
e lirimit t'Atdheut; mshehtas shetiti
kësollë për kësollë rreth buneve e soditi
frymë të re tue shprazun për gjithkahna, hija
e Skanderbegut. Qe ndër djepa rrisin
nanat e Hotit djelmëninë ushtore
e idhnim n'armikun nëpër gji i u qisin.
E nalt, ndër maje, bukuri mbretnore,
hapi flatrat e mnershme qi përshndrisin,
me thoj t’harkuem shqypeja arbënore!







All the contents on this site are copyrighted ©.