Papa do t’i rifillojë audiencat e përgjithshme më 3 gusht: në maj nisi një cikël kushtuar
lutjes.
Papa vijon periudhën e pushimeve verore në Kastel Gandolfo: audiencat e përgjithshme
të së mërkurës u ndërprenë për gjithë muajin korrik. Do të rifillojnë javën e ardhshme,
më 3 gusht. Në audiencat e fundit, duke nisur nga 4 maji, Benedikti XVI nisi një cikël
të ri katekizmi, kushtuar lutjes. Njeriu i të gjitha kohëve, vërejti Benedikti XVI,
nuk ka pushuar së luturi, sepse ka vijuar të kërkojë, në rrjedhë shekujsh, kuptimin
e jetës njerëzore. Papa ripohon me forcë se njeriu ka nevojë për një dritë, që ta
ndihmojë t’u japë përgjigje pyetjeve mbi kuptimin më të thellë të realitetit rrethues.
E, ripohon edhe se feja e njeriut nuk ka të bëjë vetëm me kohët e lashta, por përshkon
gjithë historinë e njerëzimit. Njeriu dixhital, ashtu si ai i shpellave, kërkon në
përvojën fetare, udhët për të kapërcyer papërsosurinë e tij e për të siguruar aventurën
e tij të përkohshme tokësore. Pastaj, jeta pa një horizont të mbinatyrshëm nuk do
të kishte kuptim të plotë, e lumturia, drejt së cilës rendim gjithnjë, projektohet
vetvetiu kah e ardhmja, kah një e nesërme, që ende nuk është jetuar: “Njeriu
ka në shpirt një etje të pashuar për pafundësinë, ka mall për amshimin, ka nevojë
për bukuri, ka dëshirë për dashuri, ka uri për dritë e vërtetësi: e pikërisht këto
ndjesi e shtyjnë drejt Absolutit: njeriu e ka në vetvete dëshirën për Zotin. E njeriu
e di, në një farë mënyre, se mund t’i drejtohet Zotit, e di se mund të lutet” (Audienca
e përgjithshme, 11 maj 2011). Të lutesh është gjë e thjeshtë, do të thotë të
flasësh me Zotin, ose të rrish me Të. Të gjithë mund ta bëjnë. Por në të njëjtën
kohë kjo gjë kaq e thjeshtë, është edhe e vështirë, sepse lutja kërkon që njeriu të
dalë nga hapësira e ngushtë e vetvetes, t’ia hapë zemrën dashurisë e të impenjohet
gjithnjë më shumë në botë: “Për të krishterin, të lutet nuk do të
thotë të ikë nga realiteti e t’i shmanget përgjegjësisë, por ta pranojë deri në fund
të fundit, duke besuar plotësisht në dashurinë besnike e të pashterrshme të Zotit”. Pra, na kujton Papa, mund të themi se lutja, që është hapje e zemrës e lartim
kah Zoti, bëhet, kështu, lidhje personale me Të. Prandaj na fton të gjunjëzohemi më
shpesh para Zotit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, sepse kështu: “… mësojmë
ta njohim në heshtje, në shpirtin tonë, zërin e tij, që na thërret e na prin kah thellësitë
e jetës sonë, na çon tek burimi i jetës, burimi i shëlbimit, për të na ndihmuar të
shkojmë përtej jetës sonë e t’i shembëllejmë, të lidhemi me Atë, që është Dashuri
e pafundme” (Audienca e përgjithshme, 11 maj 2011). Qëllimi
kryesor i lutjes – pohon Papa – është pendimi, kthimi në rrugën e Zotit, që na bën
të aftë t’ia hapim zemrën Atij e të afërmit, duke gjetur jetën e vërtetë, sepse Zoti
është dashuri! “Të dashur vëllezër e motra, lutja nuk është një element ndihmës,
nuk është optional, por është çështje jete a vdekjeje. Vetëm ai që lutet, dmth që
e lëshon plotësisht vetveten në dorë të Zotit me dashuri bijnore, mund të hyjë në
jetën e amshuar, që është vetë Zoti”(Lutja e Engjëllit të Tënzot, 4 mars
2007).