2011-07-29 16:25:08

Papa në një mesazh drejtuar Etërve Somaskë: “Rinia ka nevojë për dashuri, që të rritet e shëndetshme”.


“Provat personale, por edhe ato institucionale, e ndihmojnë njeriun të rritet në fe”; “Zoti ka planet e veta, edhe kur ne nuk arrijmë t’i kuptojmë”: kështu shkruan Benedikti XVI në mesazhin drejtuar eprorit të përgjithshëm të klerikëve rregulltarë somaskë, atë Franko Moskone, me rastin e Vitit jubilar, shpallur nga Urdhëri në përkujtim të 500-vjetorit të ditës kur themeluesi, Shën Jeronim Emiliani, pajtor i jetimëve dhe i të rinjve të braktisur, u lirua mrekullisht nga burgu. Kremtimet do të hapen në Venedik, më 25 shtatorin e ardhshëm, me Meshën solemne, kremtuar në Bazilikën e Shën Markut, e do të vijojnë gjatë gjithë vitit, deri më 30 shtator 2012, me një sërë takimesh historike, kushtuar kryesisht figurës së Shën Jeronim Emilianit.

Benedikti XVI kujton, në mesazh, ngjarjen e mrekullueshme, që i hapi një njeriu rrugën e jetës rregulltare, aq të rëndësishme për historinë e Kishës.
Ishte nata e 27 shtatorit të vitit 1511 e, gjatë luftës ndërmjet Republikës venete dhe Shteteve të Lidhjes së Kambreit, ushtari i ri i Republikës së Venedikut, Jeronim Emiliani, u zu rob e u mbyll në qelitë e nëndheshme të fortesës Kastelnuovo, i lidhur këmbë e duar me zinxhirë. Iu lut Zonjës së Bekuar ta shpëtonte, duke bërë një kusht: të niste një jetë të re. Lutja iu dëgjua. Nëna e Krishtit ia coptoi zinxhirët e ia hapi portat e një burgu, prej nga pak e kush dilte i gjallë. Por Zonja i hapi edhe portat e një burgu tjetër…
U lirua, me ndërmjetësi hyjnore – shkruan Papa në mesazh - nga leqet e egoizmit, të mendjemadhësisë, të etjes për t’u dukur, për t’u bërë i famshëm. Kështu djaloshi, që deri atëhere merrej vetëm me punët e kësaj bote, sidomos me vetveten, iu kushtua plotësisht Zotit, të cilin nisi ta donte më fort se çdo gjë në botë, duke i shërbyer përmes kujdesit për të rinjtë jetimë, të sëmurë të braktisur. Jeronimi – shton Ati i Shenjtë – ishte i bindur se të rinjtë, posaçërisht në situata të vështira, nuk duhet lënë kurrë vetëm. Që të rriten të shëndetshëm në trup e në shpirt, kanë nevojë për një kusht themelor: për dashuri!Prandaj vëmendja për rininë dhe për edukimin e saj njerëzor e të krishterë, që është në bazë të karizmës së etërve somaskë, vijon të jetë një nga impenjimet kryesore edhe në gjithë jetën e Kishës. Është e nevojshme – shkruan Benedikti XVI – që breznitë e reja, të rriten e të ushqehen jo vetëm me nocione kulturore dhe teknike, por sidomos, e mbi të gjitha, me dashurinë, që fiton mbi çdo individualizëm e mbi çdo egoizëm duke i shtyrë të rinjtë t’i kushtojnë vëmendje edhe jetës së të tjerëve, nevojave të të tjerëve, edhe atëherë kur e dinë mirë se nuk do të kenë asnjë shpërblim, madje sidomos atëherë. Shembulli i shkëlqyer i Jeronim Emilianit – përfundon Papa – na ndihmon t’i kemi për zemër të rinjtë, t’i kuptojmë nevojat e tyre, varfëritë e tyre morale, fizike, ekzistenciale e, mbi të gjitha, varfërinë e njeriut, që nuk e di ç’është dashuria, rrënjë e çdo problemi serioz njerëzor.







All the contents on this site are copyrighted ©.