2011-07-29 19:02:03

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 18-të 'A'


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të Meshës të së dielës: kësaj here do të dëgjojmë e do të meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 18-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Pas mësimeve mbi Mbretërinë e Hyjit, Mateu ungjilltar tani trajton një pyetje tjetër, një pyetje të vjetër e përherë aktuale: kush është Jezusi? Kësaj pyetjeje, përgjigjen e së cilës e gjejmë në mënyrë të qartë disa herë në Ungjill, por gati gjithmonë nga goja e Pjetrit, ungjilltari – e më të edhe liturgjia – jep përgjigje graduale, në mënyrë që ai që sheh të mund të shoh edhe më tepër, e kush nuk do të shoh mbetët në verbësinë e vet. Kështu pra, fillon autodëftimi (vet paraqitja) i Mesisë që do ta ketë kulmin e vet kur centurioni romak do të klithë para të Kryqëzuarit: më të vërtetë ky është Biri i Zotit.
Në pjesën ungjillore të kësaj së diele, Jezusi dëftohet porsi ai që e realizon profecinë e Izaisë, që e dëgjojmë në leximin e parë të kësaj së diele. Është fjala për Mesinë e premtuar, por edhe për Moisiun e ri i cili në shkretëtirë ka dhembshuri për popullin e vet dhe i jep bukë, e buka sipas fjalorit që përdor Mateu – e mori, e bekoi, e ndau, ua dha – bëhet profeti e Eukaristisë që ne kremtojmë në Meshën e Shenjtë.
Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele, pra na tregon për shumëzimin e bukëve nga ana e Jezu Krishtit, gjest hyjnore që dëfton përdëllimin e Krishtit, thirrjen drejtuar dishepujve të vet për t'u bërë bashkëpunëtorë të tij, për të qenë veprimtarë të përdëllimit Hyjnor në mesin e njerëzve nevojtarë.
Leximet biblike të kësaj së diele flasin për temën e dashurisë që na lidhë me Krishtin: kjo dashuri na mbush me të mira të çmueshme – leximi parë dhe ungjilli- ; kjo dashuri është thesar e fuqi në përballimin e vështirësive të jetës, fuqi që na ndihmon ti qëndrojmë përherë dhe kudo besnik Krishtit.
Pra, leximet biblike të kësaj së diele trajtojnë Fjalën e Zotit dhe bukën si ushqim shpirtëror e trupor, buka gurrë për jetën shpirtërore e për mirëqenien trupore, dhuratë e dashurisë Hyjnore dhe thirrje solidariteti e bujarie mes njerëzve.
Më tepër mund të dëgjoni këtu leximet biblike të kësaj së diele dhe komentin......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.