2011-07-29 17:48:11

Kryeipeshkvi Çullikat në OKB-në e Nju Jorkut: të rinjtë kanë një rol themelor për ardhmërinë e njerëzimit.


Një fjalim, që i rrëmbeu dëgjuesit, kushtuar rolit të të rinjve në ardhmërinë e njerëzimit: e mbajti dje, në selinë e OKB-së të Nju Jorkut, kryeipeshkvi Frensis Çullikat, që foli në një takim të Kombeve të Bashkuara, kushtuar rinisë. Duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme, vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, ripohoi me forcë se fëmijët kanë të drejtë të rriten në gjirin e familjeve të bashkuara, në të cilat mbretëron atmosfera e dashurisë dhe e mirëkuptimit.

“Çdo i ri duhet të ketë mundësinë të rritet i lirë, larg dhunës e grindjeve”: këtë nënvizoi kryeipeshkvi Çullikat i cili, duke folur në Pallatin e Qelqit, vuri theksin mbi rëndësinë që ka për të rinjtë mjedisi familjar, ku mbretëron atmosfera e gëzimit, e dashurisë dhe e mirëkuptimit. Prelati kujtoi se vetë Deklarata e OKB-së për të drejtat e njeriut pranon se familja, e bazuar mbi martesën e një burri me një grua, duhet mbrojtur, në shoqëri e nga vetë shtetet. Prej këndej, kujtoi se shumë të rinj kanë dëshirë të zjarrtë të jetojnë lidhje personale të vërteta e solidare e, sidomos, të rriten e të fitojnë pjekurinë në gjirin e familjeve të bashkuara.
Të rinjtë, shtoi vëzhguesi i Selisë së Shenjtë, janë ardhmëria e njerëzimit. Prandaj, vërejti, kanë nevojë për një edukim të rregullt, që i mëson ta dallojnë të mirën nga e keqja. Imzot Çullikat vuri theksin edhe mbi përpjekjet, që duhen bërë për të zhdukur çdo formë të dhunës kundër të rinjve, duke ripohuar se të drejtat e fëmijëve e të të rinjve duhen garantuar, në përkim të plotë me normat e rendit moral e natyror. Pohoi, kështu, edhe se mendësia relativiste, që i konsideron njëlloj të vlefshme të gjitha gjërat, nuk çon në rrugën e lirisë së vërtetë, por në trazira shpirtërore e në konfuzion. Vetë jeta tregon se e mira nuk mund të jetë e keqe, se këto dy koncepte nuk mund të kenë të njëjtën vlerë për jetën njerëzore. E keqja është, në shekuj të shekujve, e padëshirueshme për njeriun. Shkakton dhimbje! Kjo është e pamohueshme! Ndërsa e mira ngjall paqe e gëzim në shpirt. Në fjalimin e tij imzot Çullikat kujtoi edhe Ditën Botërore të Rinisë, që do të kremtohet së shpejti në Madrid. Një rast i përshtatshëm, e quajti prelati, për të kremtuar rëndësinë e përmasës shpirtërore, të rrënjosur në shpirtin e çdo njeriu.







All the contents on this site are copyrighted ©.