2011-07-28 12:24:44

Çelësi i fjalëve të Kishës: domethënia e fjalës "pasuri" sipas Biblës


Të dashur dëgjues, nganjëherë ndeshemi me opinionin se të krishterët janë kundër pasurisë dhe të pasurve, por kjo nuk është e vërtetë. Për këtë arsye, vendosëm t’ia kushtojmë emisionin e sotëm (emisioni i 105-të) shpjegimit të fjalës “pasuri”.
Bibla e konsideron pasurinë jo gjithnjë njësoj e ka me të marrëdhënie të ndërlikuara. Që në Besëlidhjen e Vjetër vihen ballë për ballë dy qëndrime, në dukje të kundërta. Nga njëra anë, pasuria mund të jetë mjet për të realizuar të ashtuquajturën “teori të shpërblimit”, e cila e konsideron atë si çmim, si bekim hyjnor për të drejtin, për njeriun, që i qëndron besnik ligjit të Zotit. Është rasti i mirëqënies së patriarkëve, apo i asaj të Jobit, pas sprovës. Në Librin e Fjalëve të Urta thuhet: “Bekimi i Zotit të bën të pasur…”; “Me dije mbushen drithnikët, me çdo lloj të mirash të çmueshme e të dëshirueshme” (Fu 10,22; 24,4).
Por, nga ana tjetër, pasuria shihet edhe si një rrezik i tmerrshëm, që e bën njeriun t’i rritet mendja, t’i adhurojë të mirat materiale e ta korruptojë shpirtin e vet. Gjithnjë në Librin e Fjalëve të Urta, por edhe në atë të Siracidit vihet në dukje se “Kush e vë shpresën e vet në pasje do të bjerë poshtë”; “Më i mirë është skamnori që jeton në thjeshtësinë e vet, se pasaniku që ecën udhëve të këqija”; “Pasaniku bën padrejtësi e turfullon, ndërsa skamnori, edhe i fyer, kërkon ndjesë” (Fu 11,28; 28,6; Sir 13,4). Jobi ironizon mbi pasurinë, e cila, në vend që të jetë siguri e mbrojtje për të drejtin, bëhet emblemë arrogante e perversit dhe e të korruptuarit. Por sidomos profetët e ngrenë vazhdimisht zërin për të denoncuar sjelljen e atyre të pasurve, që mendojnë veç për vete e që i lejojnë vetes pa turp çdo lluks e padrejtësi.
Mjafton të lexojmë disa faqe nga Amosi, profet fshatar i shekullit VIII para Krishtit, në të cilat ai kritikon ashpër pasuritë pa fre dhe kënaqësitë e ulta, në prehrin e të cilave e kishte lëshuar veten klasa e lartë e Samarisë. Në emër të Zotit, ai mallkon: “Do ta rrënoj shtëpinë e dimërimit bashkë me shtëpinë e verimit, do të shemben shtëpitë e fildishta, do të zhduken shtëpitë e mëdha… Dëgjojeni këtë fjalë, o ju lopët e Basanit… që të ligshtët i shtypni, që i mundoni varfanjakët, që u thoni burrave tuaj: “Na sill të pimë!” (3,15; 4,1). Ndërsa Isaia profet denoncon latifondizmin: “Mjerë kush shtëpisë i shton shtëpi, kush i shton arës arë deri në skaj të vendit! A thua ju të vetmit do të jetoni këtu mbi dhe?” (5,8).
Në Besëlidhjen e Re, edhe Jezu Krishti e vazhdon këtë qëndrim profetik, duke dënuar padrejtësitë e duke treguar sa e madhe duhet të jetë distanca ndërmjet të krishterit dhe pasurisë: mjafton të mendojmë për episodin e të riut të pasur, që nuk arriti të shkëputej nga pasuria e vet për të ndjekur Krishtin (Mt 19,16-26). Fraza paradoks, që e mbyll atë ngjarje, është e qartë: “Është më lehtë të përshkohet deveja nëpër vrimë të gjilpërës se i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Hyjit” (19,24). Shën Luka, që është ungjilltari i të varfërve, i kushton një pjesë të tërë pasurisë “së pandershme e të padrejtë” (16,1-13). Në shembëlltyrën e shërbëtorit të pandershëm, përshkruar nga shën Luka, përdoret termi “mamona” për të përcaktuar ato thesare materiale, që pushtojnë krejtësisht zemrën dhe jetën e njeriut. Është një fjalë aramaike, që do të thotë pasuri konkrete, por që përmban në vetvete fjalën “amen”, e cila ka të bëjë me fenë.
Kështu, pasuria (apo mamona) kthehet në idhull, që i kundërvihet Zotit të gjallë. Për këtë arsye, Krishti u thotë qartë nxënësve të vet: “Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë” (Lk 16,13). Por kjo nuk do të thotë se duhet të përpiqemi të jemi të varfër. Jezusi shqetësohet për mjeranët e kësaj bote dhe i fton të gjithë t’i ndihmojnë, përmes pasurisë së tyre, siç bëri samaritani i mirë në shembëlltyrën e njohur. Pasuria mund të bëhet udhë shëlbimi, nëse ajo shërben për të ndihmuar të varfërit. Vërtet, Krishti na ka lënë këtë këshillë: “Shitni pasurinë tuaj e jepni lëmoshë! Bëni…thesar në qiell, që nuk mbaron kurrë, ku vjedhësi nuk afrohet e tenja nuk bren” (Lk 12,33).







All the contents on this site are copyrighted ©.