2011-07-28 17:19:29

Sali Berisha: qarqet ultra nacionaliste serbe, rrezik për paqen e stabilitetin në rajon


Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha shprehu sot mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për të drejtën dhe vendimet e qeverisë së Kosovës për garantimin e rendit kushtetues, integritetin dhe kontrollin e plotë të territorit të saj.
Në një konferencë për shtyp, Berisha u shpreh se qeveria e Shqipërisë po ndjek me shqetësim provokimet e rrezikshme të bandave të serbomëdhenjve në kufirin verior të Republikës së Kosovës.
"Qeveria e Shqipërisë dënon aktet kriminale të falangave të serbomëdhenjve në vendkalimet në kufirin verior të Kosovës, vrasjen e oficerit të forcave speciale të Kosovës, djegien e ndërtesave të doganave dhe sulmin e djeshëm të armatosur ndaj njësive tokësore dhe ajrore të KFOR-it në vendngjarje", deklaroi kryeministri.
Të gjitha këto, tha Kryeministri Berisha, janë të mbështetura, të frymëzuara dhe të paguara nga qarqe ultra nacionaliste të Beogradit dhe dëshmojnë qartë se fantazma e Serbisë së madhe paraqet sërisht rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon.
"Qeveria shqiptare mbështet plotësisht autoritetet dhe popullin e Kosovës, KFOR-in dhe autoritetet ndërkombëtare në Kosovë, për vendosmërinë e tyre për garantimin e rendit kushtetues dhe integritetin territorial të Kosovës, dhe vendosjen nën kontroll të plotë, në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e vendit, të të gjitha vendkalimeve kufitare të kësaj Republike", nënvizoi Kryeministri Berisha.
Berisha shprehu bindjen se çdo përpjekje për dhunimin e integritetit territorial dhe rendit Kushtetues të Kosovës do të marrë përgjigjen e merituar.
Kryeministri i Shqipërisë vuri në dukje se qeveria shqiptare, ndonëse është për lëvizjen e lirë të mallrave, ideve dhe njerëzve dhe kundër çdo lloj embargoje, mbështet plotësisht vendimet e qeverisë së Kosovës, bazuar në parimin e reciprocitetit, për ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë, si vendim tërësisht i imponuar nga embargoja disa vjeçare serbe për mallrat e Kosovës. Ai shprehu vendosmërinë e qeverisë për t'i krijuar Kosovës të gjitha lehtësirat portuale dhe të tjera për të përballuar embargon e Serbisë ndaj saj, me pasoja sa më të vogla.
"Qeveria e Tiranës i bën thirrje qeverisë së Kosovës dhe asaj serbe të marrin të gjitha masat për uljen e tensionit dhe krijimin e kushteve për suksesin e dialogut dhe negociatave në kuadrin e procesit të Brukselit, si procesi midis palëve të barabarta, tejet i rëndësishëm për vendet e tyre, paqen dhe stabilitetin në rajon", përfundoi Kryeministri Berisha.







All the contents on this site are copyrighted ©.