2011-07-28 14:02:07

Nën kontroll kufiri Serbi-Kosovë. Serbët ndeshen me KFOR-in


Postoblloku kufitar i Jarinjës bërë shkrumb nga flakët, kampi i KFOR-it i shpërngulur për shkak të zjarrit, ndeshje ndërmjet ushtarëve ndërkombëtarë dhe grupeve të serbëve: ky është bilanci i një mbrëmjeje tensioni në pikat kufitare ndërmjet Serbisë e Kosovës, në të cilat gjendja është tensionuar prej ditësh. Kujtojmë se situata u rëndua menjëherë pas vendosjes së embargos reciproke për mosqarkullimin e mallrave të tjetrit në territor dhe pas vendimit të Prishtinës për të kontrolluar zbatimin e saj në dy pika kufitare në veri të Kosovës: në Bërnjak e në Jarinjë.

Ekstremistët serbë sulmuan mbrëmë ushtarët e KFOR-it edhe me armë zjarri, siç deklaroi komandati i forcave ndërkombëtare, gjenerali Ergard Buhler. Rreth orës 19.00 një grup serbësh të Kosovës, me fytyrë të mbuluar, shkatërruan me eskavator parafabrikatet e policisë kufitare e të doganës në Jarinjë. Flakët i detyruan ushtarët polakë të KFOR-it të braktisin kampin pranë kufirit. Më pas filluan ndeshjet me armë ndërmjet serbëve dhe ushtarëve.

Menjëherë reaguan kancelaritë perëndimore. Përfaqësuesja e lartë evropiane për politikën e jashtme, Kathrinë Eshton e quajti dhunën “të papranueshme” e kërkoi që problemet mes palëve të zgjidhen me dialog.

Aktin e dhunës e dënoi edhe presidenti serb, Boris Tadiç, përveç homologut shqiptar, Bamir Topi e Kuvendit të Kosovës, mbledhur në seancë të jashtëzakonshme për këtë ngjarje. “Huliganët – tha Tadiç – nuk veprojnë as në interes të Kosovës, as në interes të Serbisë”.
Situata është diskutuar sot me dyer të mbyllura në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në mbledhje të jashtëzakonshme, me kërkesën e Beogradit.







All the contents on this site are copyrighted ©.