2011-07-28 12:24:54

Liderët fetarë, në Jeruzalem, bisedojnë për ndryshimet klimaterike dhe zhvillimin e qëndrueshëm.


“Si mund të bashkëpunojnë fetë, përballë krizës klimaterike?”. Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, dje, në Jeruzalem, në Tokën e Shenjtë, u takuan prijës të feve të ndryshme. I organizuar nga Qendra ndërfetare për zhvillimin e qëndrueshëm, forumi shqyrtoi mundësitë e bashkëpunimit, përballë sfidave të ndryshimeve klimaterike. Posaçërisht domethënës, diskutimi i imzot Uilljam Shomalit, ipeshkëv ndihmës i patriarkatit latin të Jeruzalemit, që përfaqësonte në takim patrikun Fuad Tual; i rabinit David Rozen, drejtor ndërkombëtar i Komitetit hebraiko-amerikan për Çështjet ndërfetare, bashkëkryetar i Konferencës botërore të feve për paqen si dhe i Haj Salah Zuhejkës, zëvendës-ministër i çështjeve fetare për Autoritetin palestinez, anëtar i Këshillit të institucioneve fetare të Tokës së Shenjtë.
Të respektosh krijimin, do të thotë të respektosh Krijuesin – nënvizoi imzot Shomali, fjalimi i të cilit përkoi plotësisht me atë të rabinit Rozen e të zëvendës-ministrit Zuhejka. Të tre diskutuesit theksuan se toka është pasuri, që nuk u përket vetëm pak njerëzve, por mbarë njerëzimit. Vërtet këtu jemi në kalim, por gjithsesi duhet ta dashurojmë këtë krijesë – theksoi prelati katolik – sepse është dhuratë e çmuar, që duhet ruajtur. E, duke folur për tokën – lexohet në kanalin e internetit të Patriarkatit latin të Jeruzalemit , imzot Shomali kujtoi “Këngën e Krijesave” të Shën Françeskut të Asizit, e jo më pak, edhe mesazhin e Benediktit XVI për Ditën Botërore të Paqes, të vitit të kaluar, duke theksuar fort citimin: “Të sigurosh paqen, do të thotë të mbrosh gjithësinë e krijuar nga Zoti”. Prelati kërkoi të rishikohen modelet e zhvillimit, sepse ritmi i sotëm i shfrytëzimit të tokës, rrezikon burimet natyrore, ndërsa mungesa e projekteve politike dhe ekonomike afatgjata, e ka dëmtuar tashmë shumë rëndë ambientin. Imzot Shomali foli edhe për realitetin ekologjik të Gazës, ku mungesa e sistemit të grumbullimit të mbeturinave, po shkakton ndotjen e ujërave. Problem, ky, tejet i rëndësishëm për jetën e njerëzve, e jo vetëm në këto zona.







All the contents on this site are copyrighted ©.