2011-07-28 17:11:55

Kuvendi i Kosovës mbështet me rezolutë kontrollin e tërë territorit kombëtar.


Kuvendi i Kosovës miratoi sot një rezolutë në seancën e jashtëzakonshme për gjendjen në pjesën verore të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit.
Në Rezolutë, "Kuvendi i Kosovës mbështet të drejtën kushtetuese të institucioneve për ushtrimin e kontrollit të plotë në tërë territorin e Republikës së Kosovës".
Kuvendi i Kosovës kërkon që të respektohen masat e reciprocitetit me Serbinë në të gjitha pikat doganore dhe fton bashkësinë ndërkombëtare për të përkrahur institucionet e vendit në vendosjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Kuvendi i Kosovës u bën gjithashtu thirrje të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim që të ruajnë qetësinë, rendin kushtetues dhe sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës.
Përmes kësaj rezolute, Kuvendi i Kosovës kërkon nga qeveria të vazhdojë me angazhimin e saj për vendosjen e autoritetit kushtetues në pikat kufitare 1 dhe 31 dhe në ndërmarrjen e veprimeve të tjera për shtrirjen dhe ushtrimin e sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës".
"Kuvendi i Kosovës me 89 vota pro, 9 kundër e asnjë abstenim miratoi Rezolutën që e mbështet qeverinë për të ushtruar kontrollin kushtetues të plotë të saj në tërë territorin e Republikës së Kosovës", konstatoi pas votimit kryeparlamentari, Jakup Krasniqi.
Kuvendi do vazhdojë punën pasdite dhe nesër me dy seancat e rregullta plenare, të fundit të Sesionit pranveror, në të cilat do të shqyrtohen 22 projektligje dhe do të ratifikohet një marrëveshje ndërkombëtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.