2011-07-27 13:44:09

Selia e Shenjtë dhe Malajzia lidhën marrëdhënie diplomatike


Selia e Shenjtë dhe Malajzia lidhën që sot marrëdhënie diplomatike. Në një deklaratë të Sallës së Shtypit të Vatikanit shpjegohet se në Kuala Lumpur do të hapet një nunciaturë apostolike, ndërsa në Selinë e Shenjtë do të akreditohet një ambasadë maleze.
Malajzia është shteti i 179-të, që lidh marrëdhënie diplomatike me Vatikanin. Ajo ka një sipërfaqe prej rreth 330 mijë km katrorë dhe një popullsi shumëracore e shumëetnike prej rreth 28 milion banorësh. Islami është feja kryesore, që ndiqet nga 60,4% e banorëve dhe konsiderohet fe shtetërore. Më pas, vijnë budistët me 19,2% të popullsisë, të krishterët me 9,1%, hinduistët me 6,3%, ndjekësit e feve popullore kineze me 2,6% dhe animistët me 2,4%.
Vendi fitoi pavarësinë në vitin 1957 e që atëherë, është zhvilluar me shpejtësi, duke u bërë një nga prodhuesit më të mëdhenj të pjesëve elektronike të këmbimit në botë. Zë vendin e parë në Azinë Juglindore për montimin dhe eksportimin e makinave. Është bashkëthemelues i A.S.E.A.N., organizatë që mbledh vendet e Azisë Juglindore, të cilat kanë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ekonominë globale.
Kisha Katolike është e pranishme në Malajzi, që nga viti 1511, kur misionarët e parë portugezë mbërritën në qytetin e Malakës, ku pati shkuar edhe shën Françesk Saveri në vitin 1545. Sot, Kisha ka 9 rrethe kishtare, të organizuara në kryedioqezën e Kuala Lumpurit, në atë të Kuçingut e në atë të Kota Kinabalut. Në vend shërbejnë 11 ipeshkvij, 274 meshtarë dioqezanë, 119 meshtarë, 123 rregulltarë, 759 murgesha e 270 seminaristë. Katolikët janë mëse 850 mijë, pra rreth 3% e popullsisë.
Ungjillëzimi dhe kujdesi për familjen e për të rinjtë janë veprimtaritë kryesore të Kishës, e cila është e pranishme në fushën e arsimit e të edukimit, por edhe në atë shoqërore e bamirëse, me shumë institucione në favor të nevojtarëve e të emigrantëve. Laikët janë aktivë sidomos në grupet e lutjes e në katekizëm. Nuk mungojnë nisma për nxitjen e harmonisë e të pajtimit ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, për dialogun e respektimin e të drejtave e detyrave të secilit.
Deri tani, në Malajzi ka funksionuar Legata Apostolike, vendosur në Kuala Lumpur më 2 shkurt 1998, pas shkrirjes së Legatës Apostolike në Laos, Malajzi e Singapur, e pranishme në vend që nga viti 1969, dhe ndarjes së mëvonshme të saj në Legatat Apostolike të Malajzisë e Bruneit dhe të Laosit.
Kontaktet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Malajzisë karakterizohen nga disa ngjarje të veçanta. Më 7 qershor 2002, kryeministri i atëhershëm, Mahathir bin Mohamad u prit në audiencë nga Papa Gjon Pali II. Kjo qe hera e parë që një autoritet i Malajzisë takohej me Papën dhe me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Në vitin 2005, qeveria e Kuala Lumpurit dërgoi një mesazh ngushëllimi për vdekjen e Papës Vojtila e një delegacion në varrim e më pas, edhe në ceremoninë e fillimit të papnisë së Benediktit XVI, përmes të ashtuquajturit “Mision të Jashtëzakonshëm”, pasi akoma nuk kishte marrëdhënie zyrtare ndërmjet dy vendeve.
Nga 14 deri më 16 qershor 2005, me rastin e 50-vjetorit të themelimit të kryedioqezës së Kuala Lumpurit, Sekretari i atëhershëm për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Gjovani Lajolo shkoi për një vizitë në Malajzi, e para e këtij niveli. Së fundi, më 18 korrikun e këtij viti, Papa Benedikti XVI priti në audiencë në Kastel Gandolfo kryeministrin e Malajzisë, Naxhib bin Abdul Razak, i cili u takua më pas me autoritete të tjera të Vatikanit. Në këtë rast, palët u morën vesh për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.