2011-07-27 18:29:03

Nunci Apostolik në Norvegji: Kisha vijon të lutet për të gjallët e për të vdekurit.


Në Norvegji, ashtu si në të gjithë botën, Kisha katolike lutet për viktimat e Oslos, që do të kujtohen edhe në meshët shenjte. E lutet edhe për të afërmit e tyre. E pohon këtë nunci apostolik në Norvegji, imzot Emil Paul Tshering, në mikrofonin e Radio Vatikanit. Të gjithë jemi të tronditur thellë – shpjegon kryeipeshkvi Tsherring – nga këto fakte kaq të tmerrshme, këto atentate, që shkaktuan kaq të vdekur, pothuajse të gjithë në moshë krejt të re. U përcjellim ngushëllimet tona më të ndjera familjeve dhe të gjithë njerëzve, që po jetojnë pasojat e tmerrshme të kësaj ngjarjeje, Për norvegjezët – shpjegon Nunci – është katastrofë e madhe, madje më e madhja, që është parë në vend pas Luftës II Botërore. Në fakt – përfundon prelati - është ngjarje pabesueshme, në një vend thellësisht paqësor e të lirë. Prej këndej, prek thellë mbarë popullsinë, që nuk e besonte se mund të shikonte tmerre të tilla, të cilat mund të krahasohen vetëm me vetëtimat e rrufetë në qiell të kthjellët.







All the contents on this site are copyrighted ©.