2011-07-27 07:16:05

Atë Jakob Marlekaj ofm, një jetë të tërë në shërbim të Fesë e të Kombit.


Sot më 27 korrik përkujtojmë françeskanin shqiptar Atë Jakob Marlekaj në tetë vjetorin e vdekjes, rregulltar françeskan e studiues i madh. Luigji, ky ishte emri që i vunë prindërit në pagëzim, lindi në fshatin Plan të Dukagjinit më 19 nëntor 1906 në familjen dukagjinase Marlekaj.
Kur ishte ende i vogël, në Plan erdhi një famullitar i ri: Atë Justin Rrota, që hapi pranë kishës një qendër misionare. Aty mësuan shkrim e këndim shqip shumë malësorë të vegjël të Planit e të Gjurajve. Në mes tyre edhe Luigji i vogël, që u bë shpejt një nga nxënësit më të dashur të fratit- mësues, i cili, me miratimin e prindërve, e çoi të vijonte mësimet në shkollën françeskane në Shkodër, hapur që në vitin 1861 nën drejtimin e Atë Gjergj Fishtës.
Në vitin shkollor 1924-1925 u regjistrua në liceun françeskan ‘Illyricum’. Tashmë e kishte zgjedhur rrugën e vet, që do ta çonte larg nëpër universitete e kuvende të ndryshme françeskane të Italisë, duke nisur nga Firence, ku nisi studimet për të përfunduar në Bari, ku drejtoi katedrën e gjuhës e të letërsisë shqipe e ku jetoi deri sa mbylli sytë, më 27 korrik të vitit 2003.
I la trashëgim kulturës shqiptare një pasuri të vërtetë shkrimesh, studimesh gjuhësore, hulumtimesh, dokumentesh, që ruhen në bibliotekën e re françeskane në Shkodër. Prej tyre po kujtojmë vetëm veprën së cilës i kushtoi gjithë jetën: “Pjetër Bogdani dhe Shqipëria e kohës së tij”, botuar në Bari më 1989.







All the contents on this site are copyrighted ©.