Zi buke në Bririn e Afrikës: po shuhet një brez i tërë somalezësh
Rëndohet nga ora në orë gjendja në Bririn e Afrikës, i cili po vuan nga thatësira
më e madhe e dhjetëvjeçarëve të fundit. Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatët
vlerëson se në muajin korrik, mëse njëmijë vetë në ditë kanë mbërritur në kryeqytetin
somalez, Mogadisho për të shpëtuar nga zia e bukës. Dje, në mbledhjen e jashtëzakonshme
të emergjencës, drejtori i FAO-s, Zhak Diëf, kërkoi mobilizimin ndërkombëtar para
3,7 milion të uriturve në Somali, por edhe para gati 12 milion vetëve në rrezik në
gjithë Bririn e Afrikës, ku përfshihen Kenia, Gjibuti, Etiopia dhe Uganda. Tetë muaj
pas alarmit të OKB-së për këtë zonë janë mbledhur rreth 1 miliard dollarë për përballimin
e situatës, por mungojnë po aq për të krijuar korridoret humanitare e për të menduar
edhe për të ardhmen, përmes projeketeve të zhvillimit. Ka filluar gjithashtu edhe
vaksinimi i refugjatëve të Dadaab-it nga mjekët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Të dëgjojmë zëdhënësen e Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët në Itali,
Laura Boldrini: Shumë nga personat vuajnë nga mosushqimi, 50% e fëmijëve, që
arrijnë nëpër kampe, vuajnë nga uria e kjo është tepër shqetësuese. Fatkeqësisht,
po shtohen edhe vdekjet, pasi edhe nëse 48 orë pas mbërritjes u jepet sidomos fëmijëve
ushqim në formë terapie, nuk ia dalin ta kalojnë krizën dhe vdesin. Këto numra të
frikshëm meritojnë gjithë vëmendjen e botës, sepse vërtet po shohim një brez të tërë
somalezësh, që shuhet. Duhet të ndërhyjmë para se të jetë vonë. A është e
vërtetë se kjo është kriza më e rëndë humanitare në zonë gjatë 60 vjetëve të fundit? Është
gjithnjë tepër antipatike të bëhet klasifikimi ndërmjet krizave më të dëshpëruara
humanitare, sepse për ata që i jetojnë, e tyrja është më e keqja. Sigurisht, kjo e
sotmja në Somali është kriza me e rëndë në të cilën ka kaluar vendi, s’ka pikë dyshimi.
Kujtoj këtu se në Kenia e në Etiopi shkojnë çdo ditë 1500 vetë. Duhet t’i mbështesim
këto vende, të cilat i zbatojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare duke i lënë kufijtë
të hapur, por nuk duhen lënë vetëm.