2011-07-26 14:43:42

Vizita e Benediktit XVI në Benin, ngjarje që nderon mbarë Afrikën.


Në një konferencë shtypi, mbajtur këto ditë në Kotonù, Ministri i Jashtëm, Nasiru Bako-Arifari e paraqiti vizitën e Benediktit XVI në Benin, si ngjarje që nderon mbarë Afrikën. Ndërsa zëvendës-kryetari i komitetit organizativ, imzot Eugjen Hundekon, vuri theksin mbi tri objektivat kryesore të vizitës, që do të bëjë Benedikti XVI në Benin, nëntorin e ardhshëm, e treta e një pape në vendin Afrikan, pas vizitave të Gjon Palit II më 1982 dhe 1993, duke nënvizuar fort natyrën baritore të shtegtimit papnor. Objektivi i parë është dorëzimi i Nxitjes Apostolike pas-sinodale, fryt i Sinodit II për Afrikën, mbajtur më 2009. I dyti, kremtimi me Atin e Shenjtë i Jubileut të Ungjillëzimit të Beninit, ku Lajmi i Mirë u përhap 150 vjet më parë. Së fundi, përkujtimi i kardinalit të ndjerë beninez, Bernardin Gantin.
Atë Andre Kuenum, drejtor i komitetit organizativ për komunikimin, nënvizoi rëndësinë e vizitës papnore, me vlerë jo vetëm për katolikët, por për të gjithë popullin beninez. Kjo vizitë – kujtoi rregulltari – do të shërbejë për ta vënë në pah Kishën- Familje të Afrikës. Prej këndej, u bëri thirrje të gjithë banorëve të vendit afrikan të japin ndihmesën e tyre për suksesin e shtegtimit papnor. Në intervistën dhënë gjatë vizitës në Romë, më 4 e 5 korrik, me rastin e 40-vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Beninit, kreu i diplomacisë së Kotunu-së, nënvizoi marrëdhëniet me Kishën dhe kontributin e madh, që jep për ndërtimin e vendit, temë që ishte në qendër të vëmendjes gjatë takimit të delegacionit beninez me imzot Dominik Mambertì, Sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet.







All the contents on this site are copyrighted ©.