Me 26 korrik kalendari përkujton shën Joakimin e shën Anën, prindërit e Zojës së Bekuar
Ana e Joakimi janë prindërit e Virgjërës Mari. Joakimi ishte bari e, së bashku me
gruan e vet, Anën, jetonte në Jerusalem, ku kryente edhe shërbimin priftëror në tempull.
Po plakeshin pa fëmijë, kur Joakimit, që ishte duke punuar në arë, iu duk papritur
një engjëll. I dha lajmin e gëzuar, gati të pabesueshëm, se së shpejti do t’i lindte
një fëmijë. Të njëjtin vegim pati edhe Ana. Engjëlli e thirri me emër e i tha:
“Ana, Ana, Zoti ta dëgjoi lutjen e ti do të lindësh një fëmijë, për të cilin do të
flasë bota mbarë”. Vegimi u bë realitet e atyre u lindi një vajzë, të cilën e quajtën
Mari, që do të thotë “e dashur nga Zoti”. Joakimi e çoi në tempull, së bashku me dhjetë
qengja, dymbëdhjetë viça e po aq keca pa asnjë të metë, sipas ligjit të Moisiut. Maria
kaloi disa vjet në tempull, ku u edukua sipas ligjit të Moisiut. Shën Ana është
Pajtore qiellore e grave shtatzëna, të cilat i luten të ndërmjetësojë para Zotit për
të nxjerrë tri hire: së pari, për të lindur pa vështirësi; së dyti, për të nxjerrë
në dritë një fëmijë të shëndoshë e së treti, për të pasur qumësht të mjaftueshëm,
që ta ushqejnë foshnjën me gjirin e vet. Ndonëse për shën Anën kemi pak të dhëna në
tekstet zyrtare e kanonike, kulti i saj është jashtëzakonisht i përhapur si në Lindje,
ashtu edhe në Perëndim. S’ka qytet të madh që të mos ketë një Kishë kushtuar shën
Anës e emri i saj përsëritet në rrugët e rrugicat e qyteteve e të fshatrave, në male
e në pyje. E mbajnë mbretëresha e baresha, vajza e plaka, gra të çdo shtrese shoqërore
e të çdo profesioni: është një nga emrat më të përhapur në mbarë botën, ashtu si emri
i bijës së Anës, Maria. E kjo, sepse Ana mbajti në kraharor atë, që do të ishte shpresa
e botës, Nënën Virgjër të Shëlbuesit të njerëzimit, Jezu Krishtit. Emri Ana vjen
nga hebraishtja Hannah që do të thotë ‘Hir’. Shën Ana e shën Joakimi nuk kujtohen
fare në Ungjijtë kanonikë. Të dhënat e para për ta i gjejmë tek Etërit e Kishës dhe
tek Protoungjilli i Shën Jakut (apokrif i shekullit II). Në lindje - festa nisi të
kremtohet më 25 korrik që në shekullin VI; më pas u shtri në perëndim, ku kremtohet
gjithnjë më 26 korrik. Dy shenjtorët bashkëshortë nderohen nga përshpirtëria popullore
edhe si pajtorë qiellor të prodhimeve të ndryshme të kopshteve: barishtave, frutave
e sidomos hardhive, që në këtë kohë kanë aq shumë nevojë për ujë. Kur bie shi në festën
e shën Anës, përshpirtëria popullore e konsideron si dhuratë qiellore nga Pajtorët. Ikonografia
i paraqet prindërit e Zojës së Bekuar me Bibël në dorë, duke i mësuar Psalmet Bijës
së tyre, që ishte zgjedhur të ishte “e bekuar mbi të gjitha gratë!”.Kujtojmë se ashtu
siç ka një ditë kushtuar nënave e një tjetër, baballarëve, tani ka edhe një ditë kushtuar
gjyshërve. Është 2 tetori, festa e Engjëjve të Rojës, të cilëve u ngjasin aq shumë
gjyshërit, kur mbrojnë nipërit. Por edhe 26 korriku është ditë vërtetë e përshtatshme
për t’u shprehur gjyshërve mirënjohjen e solidaritetin, duke nderuar kështu urtinë
që buron nga vitet e nga flijimet e panumërta për bijtë.