2011-07-26 17:43:59

Lë Kombë: kardinali Bertone bekon Shtëpinë me emrin e Gjon Palit II.


Jemi pushtuar nga bukuria e natyrës, e kjo hapësirë, që u krijua sot, bëhet tempull, kishë, katedrale, për të mikpritur Kremtimin tonë eukaristik e për t’i bashkuar zemrat tona në një lutje korale falënderimi e lavdie, lartuar Zotit”. Këtë pohoi kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, me rastin e bekimit të Foyer Gjon Pali II dhe të Shtegut Gjon Pali II, në Lë Kombë. Besimtarët e mbledhur në Lë Kombë, i përshëndeti edhe Benedikti XVI i cili, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, kujtoi me kënaqësi kohën e kaluar në këtë vend mahnitës, kryevepër e Zotit Krijues, shenjtëruar nga prania e të Lumit Gjon Pali II.
Ndërsa kardinali Bertone, në homelinë e rastit, theksoi: “Kjo luginë ishte kornizë e pushimit, reflektimit, lutjes personale e asaj publike të Engjëllit të Tënzot, për dy papë: Gjon Palin II, që pushoi këtu dhjetë herë e Benediktin XVI, tri herë, më 2005, 2006 e 2009.
Më pas kardinali Bertone u ndalua tek riti i bekimit të shtëpisë, që pati fatin të strehojë miq kaq të shquar. Është fjala për strehën, e cila mori emrin e Gjon Palit II, ku Papa i lum pati kaluar pushimet. Tani kjo strehë-pushimi është zgjeruar e është bërë më funksionale në disa nga pjesët e saj, me ndihmën e bamirësve bujarë, të cilët Hirësia e Tij i falënderoi përzemërsisht. I lutemi Zotit - vijoi kardinali Bertone – t’i bekojë të gjitha shtëpitë e Komunes së Introdit, të gjitha udhët e luginës, shtigjet, kullotat e pyjet, ku jetojnë e punojnë banorët e mirë të kësaj zone.Së fundi, Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi fjalët e Gjon Palit II, drejtuar të rinjve gjatë DBR-së së vitit 2000: “Në të vërtetë, Jezusi që kërkoni, kur ëndërroni lumturinë, është Ai, që ju pret, kur asgjë nuk ju kënaq; është Ai, Bukuria, që ju tërheq kaq shumnë; Ai, që ju shkakton etjen e pashuar për një jetë pa kompromise; Ai, që ju shtyn t’i flakni maskat, të cilat e bëjnë jetën të rreme; Ai, që ju nxit për të bërë vepra të mëdha në jetë; Ai, që ju jep vullnetin për të ndjekur një ideal, larg mediokritetit; Ai, që ju mbush me guxim, duke ju ndezur në zemra dëshirën të impenjoheni përvujtërisht e vendosmërisht për ta bërë vetveten e shoqërinë më të mirë, më njerëzore, më vëllazërore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.