Sekretaria e Shtetit të Vatikanit thërret për konsultime nuncin në Irlandë
Pas publikimit të Raportit të Komisionit Hetimor të qeverisë irlandeze rreth akuzave
për abuzime ndaj të vegjëlve nga ana e klerit të dioqezës së Klojnit e, pas reagimeve
që e ndoqën, Sekretaria e Shtetit të Vatikanit ka thirrur për konsultime nuncin apostolik
në Irlandë, imzot Xhuzepe Leanca. Lajmi u dha sot nga Salla e Shtypit e Selisë së
Shenjtë. Të mërkurën e kaluar, gjatë një debati parlamentar, kryeministri irlandez,
Enda Keni e pati akuzuar Vatikanin se i ka inkurajuar ipeshkvijtë të mos denoncojnë
abuzimet para autoriteteve zyrtare. Menjëherë, reagoi drejtori i Sallës së Shtypit,
atë Federiko Lombardi, i cili paralajmëroi se Vatikani do të përgjigjet në çastin
e duhur. Gjithsesi, pati shtuar, urojmë që debati mbi tema kaq dramatike, të bëhet
me objektivitetin e nevojshëm, në mënyrë që të kontribuojë vërtet në mbrojtjen e fëmijëve
dhe të të rinjve, si edhe në ripërtëritjen e atmosferës së besimit e të bashkëpunimit
në Kishë e në shoqëri. Nga ana e tij, kryeipeshkvi i Dublinit, imzot Diarmuid Martin
pati hedhur poshtë me forcë akuzat e kryeministrit irlandez, duke nënvizuar se në
dioqezën e Klojnit nuk janë zbatuar normat e vitit 2001, të promovuara nga kardinali
i atëhershëm Jozef Racinger, papa aktual.