Papa në Engjëllin e Tënzot kujton atentatet e Norvegjisë e bënë thirrje të braktisen
udhët e urrejtjes dhe logjika e së keqes.
“Në jetën e njeriut, gjëja më e rëndësishme është përpjekja për të fituar Mbretërinë
e qiellit”. Kjo, ftesa dhe, njëkohësisht, impenjimi ynë, që duhet ta kujtojmë mirë
në të gjitha rrethanat e jetës: në lutje e në meditim, në çastet e punës e të prehjes,
në udhë e në vatrën shtëpijake. E këtë pohoi edhe Benedikti XVI në lutjen e djeshme
të Engjëllit të Tënzot, duke nënvizuar se njeriu duhet të orientohet nga një ndërgjegje,
që kërkon me etje të vërtetën, që mbron me guxim drejtësinë, i vetëdijshëm se vetëm
kështu mund t’i shërbejë vërtet Mbretërisë së Hyjit. Pas lutjes mariane, kremtuar
në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos, Papa kujtoi me dhimbje e hidhërim të thellë,
sulmet terroriste që, duke shkaktuar vdekje e shkatërrime në Norvegji, tronditën mbarë
botën.
Benedikti XVI kujtoi, pra, atentatet në Norvegji, duke bërë thirrje
për t’i dhënë fund tmerreve të tilla, që e mbushën me hidhërim atë e mbarë njerëzimin: “Edhe
një herë, për fat të keq, marrim lajme, që flasin për vdekje e dhunë. Pushtohemi të
gjithë nga një dhimbje e thellë për shkak të akteve terroriste të së premtes së kaluar,
në Norvegji. Lutemi për të vdekurit, për të plagosurit e për të dashurit e tyre. Të
gjithëve dua t’u përsëris edhe një herë thirrjen të heqin dorë përgjithnjë nga rruga
e urrejtjes e t’i rrinë larg logjikës të së keqes”. Ati i Shenjtë i shprehu
afërsinë e tij popullsisë norvegjeze, të tronditur thellë nga dhuna e këtyre atentateve
pa pikën e kuptimit, edhe në një mesazh ngushëllimi, drejtuar mbretit të Norvegjisë,
Harald V. Në mesazh, Papa i fton norvegjezët të jenë shpirtërisht të bashkuar në përpjekjen
për t’u larguar nga udhët e mërisë e të konfliktit. I fton edhe të punojnë, pa frikë,
së bashku, për të ndërtuar një ardhmëri të bazuar mbi respektin reciprok, solidaritetin,
lirinë. Ardhmëri e denjë, kjo, për breznitë e reja.
Gjatë lutjes së Engjëllit
të Tënzot, Benedikti XVI u përqendrua kryesisht tek figura e mbretit Salomon, i cili
nuk i kërkon Zotit jetë të gjatë, as pasuri, e as shpartallimin e armiqve të tij,
por një zemër të urtë, që ta sundojë me drejtësi popullin e vet, duke e dalluar të
mirën nga e keqja. Zoti ia dëgjon lutjen Salomonit e ai bëhet i famshëm në botën mbarë
për urtinë e tij e për gjykimet e tij të drejta. Por, ç’do të thotë të kesh një zemër
të urtë? “E dimë se ‘zemra’ në Bibël nuk tregon vetëm një pjesë të
trupit, por qendrën e njeriut, selinë e mendimeve, të ndjenjave, të gjykimeve. Mund
të themi: ndërgjegjen. ‘Zemër e urtë’, atëhere, do të thotë ndërgjegje, që di të dëgjojë,
që është e ndjeshme ndaj zërit të së vërtetës, e, prej këndej, edhe e aftë për ta
dalluar të mirën nga e keqja”. Në këtë rast – shtoi Papa – Salomoni iu
lut Zotit t’i japë një zemër të urtë, sepse ai ishte i ngarkuar me një përgjegjësi
të lartë: t’i printe kombit të vet, Izraelit, popullit, që Zoti e zgjodhi për t’i
dëftuar mbarë botës planin e tij të shëlbimit: “Mbreti i Izraelit, prandaj,
duhet të kërkojë të jetë gjithnjë në përkim me Zotin, në dëgjim të fjalës së Tij,
për t’i prirë popullit në udhët e Zotit, në udhët e drejtësisë e të paqes”. Por,
kujtoi Papa, shembulli i Salomonit ka vlerë për çdo njeri: “Secili nga ne
e ka një ndërgjegje, për të qenë, në një farë mënyre ‘mbret’, domethënë, për t’u sjellë
me dinjitet e për të vepruar me drejtësi, duke bërë mirë e duke u larguar nga e keqja.
Ndërgjegjja morale hamendëson aftësinë për ta dëgjuar zërin e së vërtetës e për ta
ndjekur me urti udhën, që na tregon”. Shembull, ky i Salomonit, që duhet
të ndriçojë posaçërisht mendjet e njerëzve me përgjegjësi institucionale e politike: “Njerëzit
e thirrur për të kryer detyra qeverisjeje kanë, natyrisht, edhe një përgjegjësi më
shumë e, prej këndej, si na kujton Salomoni, kanë edhe më tepër nevojë për ndihmën
e Zotit. Pa harruar se secili e ka një rol në situatën konkrete të jetës së tij e
të botës”. E secili – vijoi Ati i Shenjtë - duhet t’i besojë ndërgjegjes
së drejtë e të jetë gjithnjë në gjendje ta dallojë të mirën nga e keqja: “Mendësia
e gabuar na këshillon t’i lutemi Zotit për sende a për favore; ndërsa cilësia e vërtetë
e jetës sonë dhe e jetës shoqërore, varet nga ndërgjegjja e drejtë e secilit, nga
aftësia e secilit dhe e të gjithëve për ta njohur të mirën, duke e veçuar nga e keqja,
në përpjekjen plot durim për ta bërë më të mirë vetë jetën”. Në përfundim
Papa i nxiti të gjithë të ecin në gjurmët e Jezusit:“Të gjithë i ftoj
të ndjekin Jezusin, thesarin e vërtetë të jetës sonë të përditshme. Të diele të gëzuar.
Ju falënderoj nga zemra për lutjet tuaja. Zoti ju bekoftë!”.