2011-07-25 17:42:48

Ndërroi jetë në Romë kardinali Noe.


Ndërroi jetë, dje, në Romë, kardinali Virgjilio Noe. kryeprift nderi i Bazilikës së Vatikanit, mëkëmbës i përgjithshëm nderi i Papës për Qytetin e Vatikanit, ish-drejtor i Fabrikës së Shën Pjetrit.
Kardinali i ndjerë, i lindur në Zelata të Bereguardos, në dioqezën e Pavisë, më 30 mars 1922, u shugurua meshtar më 1 tetor 1944. Shërbimin meshtarak e nisi në famullinë e të Shëlbuemit, në rrethinat e Pavisë, ku krijoi një lëvizje të fuqishme rinore, përqendruar posaçërisht tek pjesëmarrja në Liturgji. Më 1948, ipeshkvi dioqezan, imzot Karlo Alorio, e nisi në Romë për të ndjekur Universitetin Gregorian ku, më 1952, mori laurën në Histori Kishe, me një tezë kushtuar “Politikës fetare të mbretërve longobardë”. Më 1964 u thirr në Romë për të nisur detyrën e sekretarit të Veprimit Liturgjik.
Një rrugë e gjatë, një jetë plot impenjime, që e çoi në detyrën e Mjeshtrit të Kremtimeve Papnore; atë të zevendës-sekretarit të Kongregatës për Sakramentet e Kultin Hyjnor e të sekretarit të Seksionit për Kultin Hyjnor.
Më 30 janar 1982 u lartua në dinjitetin kryeipeshkvnor, si sekretar i Kongregatës për Sakramentet dhe Kultin Hyjnor - Seksioni i Kultit Hyjnor. Në maj 1989 ishte ndihmës i kardinalit-kryeprift të Bazilikës së Vatikanit, Delegat i Fabrikës së Shën Pjetrit dhe kryetar i Komisionit të përhershëm për mbrojtjen e monumenteve historike e artistike të Selisë së Shenjtë.
Nga 12 shtatori 1993 e deri më 1996 ishte edhe kryetar i Komisionit Kardinalor për Shenjtëroret Papnore të Pompeit, Loretos e Barit.
U krijua kardinal nga Gjon Pali II, në Koncistorin e 28 qershorit të vitit 1991.Me vdekjen e tij, Kolegji Kardinalor përbëhet nga 195 kardinaj, nga të cilët, 144 me të drejtë zgjedhore, 81, me të drejtë këshillimore, domethënë, mbi moshën 80 vjeç.







All the contents on this site are copyrighted ©.