2011-07-24 15:18:26

Shenjtorët e Javës


Sot e diel 24 korrik, Kisha kremton të dielën e 17-të gjatë vitit, e gjithnjë më 24 korrik kalendari përkujton edhe shën Sharbel Maklufin, meshtar dhe shën Kristinën, virgjër e martire. Me jetën e tyre na nxisin të meditojmë se detyra kryesore e njeriut është të bëjë vullnetin e Zotit. Detyrat e kërkesat e tjera të panumërta të jetës njerëzore, që nga ato të familjes, tek detyrat e punës, janë të gjitha të dorës së dytë e të gjitha të varura pikërisht nga vullneti i Zotit.
Të hënën më 25 korrik, do të përkujtohet shën Jaku i Madh, Apostull, që na kujton se dëshira për të zënë vendet e para i tundon edhe Apostujt. E Jaku e zë vërtetë një vend të parë: është i pari që jep jetën për Krishtin.

Të martën e ardhshme më 26 korrik bie përkujtimi i shën Joakimit dhe shën Anës, prindërit e Zojës së Bekuar, gjyshi e gjyshja e Jezusit, kujtohen e së bashku me të drejtët që prisnin ardhjen e Mesisë. Këta na kujtojnë se lumnia e vërtetë e nxënësve të Krishtit është se arritën të shohin me sytë e tyre e të dëgjojnë me veshët e tyre atë që profetët e të drejtët e dëshiruan me gjithë zemër, por s’e panë, as s’ e dëgjuan.

Të mërkurën më 27 korrik është festa e shën Pantaleonit, mjek e martir dhe e shën Çelestinit papë, që na kujtojnë se Jezusi i shpall të lum ata që e mirëpresin Atë dhe Fjalën e Tij.

Të nejten më 28 korrik do të përkremtohen shën Urbani II papë, shën Nazari e Çelsi, martirë milanezë dhe shën Vitori papë. Liturgjia e festës së tyre na kujton se fara e mirë shkon dëm në se nuk bie në tokë pjellore. Duhet të jemi, prandaj, tokë e mirë, që fara e Ungjillit të japë fryt në shpirtin tonë.

Të premten që vjen më 29 korrik do të kremtohen shën Marta, nxënëse e Krishtit dhe shenjtorët Simpliçi, Faustini, Beatriçja, Feliçi dhe Rufi, martirë. Na kujtojnë se ata që e kanë zemrën e pastër do të banojnë në shtëpinë e Zotit. Duke u ndaluar te Marta, kujtojmë se mënyra se si e pret Jezusin është ikonë e shërbimit të vërtetë. Por Krishti kërkon më parë dëgjimin e vëmendshëm të fjalës së Zotit, pastaj shërbimin.

Të shtunën më 30 korrik, kalendari përkujton shën Pjetër Krizologun, ipeshkëv. Liturgjia na fton të meditojmë se shëlbimi që na siguroi Jezusi nuk njeh pengesa. Ajo që ka rëndësi, është ta takosh Jezusin përmes fesë, ashtu siç na mëson Ungjilli.

Të dielën e ardhshme më 31 korrik, Kisha do të kremtojë të dielën e 18-të gjatë vitit kishtar, e po më 31 korrik kalendari përkujton shën Injacin e Lolojës, themelues e Urdhrit të Jezuitëve. O Zot, më jep dashurinë tënde e hirin tënd, e kjo më mjafton!”: kështu shkruante mes tjerash shën Injaci i Lojolës. Liturgjia na kujton se ligji i ri i Krishtit i fton të gjithë të jenë plot dashuri e mëshirë, bujari e solidaritet, si kur fitojnë, ashtu edhe kur, për syrin e botës, humbasin. Duhet të galdojmë përherë në Zotin, që na shpëton.







All the contents on this site are copyrighted ©.