Benedikti XVI: kush qeveris ta dëgjojë zërin e Zotit e ta ketë ndërgjegjen e drejtë.
Papa, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Kastelgandolfo, i ftoi sot “njerëzit
që janë të thirrur në detyrën e qeverisjes” ta “dëgjojnë zërin e së vërtetës”, të
“jenë të bindur dhe t’i përmbahen udhëzimeve të saj duke u mbështetur në “ndihmën
e Hyjit”, pastaj duhet ta kenë ndërgjegjen e pastër e të drejtë”, të jenë të aftë
ta “njohin të mirën, ta ndajnë nga e keqja” dhe të “orvatën ta zbatojnë atë me durim”
. Duke folur mbi figurën e Salomonit mbret, që iu lut Hyjit t’i jepte “një zemër
që di të mësojë, që të dijë ta gjykojë popullin tënd e të dijë ta dallojë të mirën
prej së keqes”, Papa shpjegoi se kërkesa e tillë e Salomonit është e motivuar nga
përgjegjësia e udhëheqjes së një kombi që ka, Izraelit, popullit që Hyji e zgjodhi
për ti dëftuar botës planin e tij të shpëtimit”. “Mbreti i Izraelit, ndërkaq, kërkon
të jetë përherë në përkim me Hyjin, në dëgjim të Fjalës së Tij Hyjnore, për ta drejtuar
e udhëhequr popullin nëpër udhë të Zotit, në udhën e drejtësisë e të paqes – vijoi
Ati i Shenjtë -. Por mos të harrojmë se shembulli i Salomonin vlen për çdo njeri. Secili
prej nesh ka një ndërgjegje sipas së cilës në një farë kuptimi duhet të jetë “mbret”,
do të thotë ta ushtron dinjitetin e madh njerëzor të veprimit sipas ndërgjegjes së
drejtë, duke bërë mirë e duke iu shmangur së keqes”. Sipas Atit të Shenjtë Ratcinger,
“ndërgjegjja morale nënkupton aftësinë e dëgjimit të zërit të së vërtetës”, do të
thotë ti bindet udhëzimeve të saj”. Më tutje, “njerëzit që janë të thirrur ta ushtrojnë
detyrën e qeverisjes, natyrshëm kanë edhe një përgjegjësi të mëtejshme, e këndej –
siç na mëson Salomoni – kanë edhe më shumë nevojë për ndihmën e Zotit”. “Çdo njeri
prej nesh e ka pjesën e vet që duhet ta kryejë, në situatën konkrete në të cilën gjendet
– shtoi Papa -. Një mentalitet i gabuar na sugjeron ti kërkojmë Zotit sende apo kushte
të favorshme; në realitet, cilësia e vërtetë e jetës sonë dhe e jetës shoqërore varët
nga ndërgjegjja e drejtë e çdonjërit, nga aftësia e secilit dhe e të gjithëve për
ta njohur të mirën, për ta ndarë nga e keqja, të cilën duhet të orvatemi ta zbatojmë
me durim”.