2011-07-23 12:41:03

Asizi: shtegtarëve të Udhës së shën Françeskut do t’u jepet një dëshmi pjesëmarrjeje


Të gjithë shtegtarëve, që do të përshkojnë në këmbë, me biçikletë, ose me kalë, Udhën e shën Françeskut, do t’u jepet një dëshmi pjesëmarrjeje. Do të quhet “Testimonium Viae Francisci” e do të jepet në Asizi, si në bazilikën papnore të shën Françeskut, ashtu edhe në atë të Zojës së Engjëjve në Porciunkola. Gjithashtu dëshmia mund të lëshohet edhe nga dioqezat e Asizit, të Noçera Umbrias dhe të Gualdo Tadinos, për të gjitha ata, që do ta kenë përshkuar rrugën me ndjetin për të vizituar e për t’u lutur tek varri i Shenjtit. Para marrjes së dëshmisë, shtegtarëve do t’u duhet të marrin një lloj dokumenti udhëtimi, që quhet “Kredenciale e Shtegtarit”, e cila jepet nga kuvendet, apo famullitë e hasura gjatë rrugës, duke dëshmuar kështu se e kanë përshkuar vërtet atë. Në këmbë, shtegtari duhet të përshkojë të paktën 75 km, ndërsa në biçikletë ose kalë, të paktën 150 km.
Udha e shën Françeskut, realizuar në vitin 2003, përshkon Luginën Reatine, e cila pikërisht për hir të të Vobektit të Asizit, që e deshi aq shumë, u quajt Lugina e Shenjtë. Etapat e udhës janë tetë dhe e çojnë shtegtarin nga qyteti mesjetar i Rietit, me pallatet e kishat e tij, në shenjtëroret e Greçios, La Forestës, Poxhio Bustones e Fontekolombos, të ngërthyera në gjelbërimin e pyjeve, pastaj në korijet e Ahut të shën Françeskut dhe të Rivodutrit, në fshatin e lashtë të Postës, perlë e Luginës së Velinos dhe, në majat e Terminilit. Gjatë udhës, shtegtarët hasen me shenja në dru e me shigjeta në rrugë, që tregojnë drejtimin e duhur, ku shumë vetë kanë gjetur vetveten dhe fenë, duke ia hapur zemrën Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.