2011-07-22 18:27:13

Atë Lombardi: diskutimi mbi Raportin Kloin duhet të jetë objektiv e të mbrojë fëmijët.


Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, i pyetur nga gazetarët, foli mbrëmë për shpërdorimet e disa anëtarëve të klerit të Irlandës mbi të miturit. Zëdhënësi i Vatikanit pohoi se Selia e Shenjtë do t’i japë përgjigjen e duhur pyetjes së qeverisë irlandeze lidhur me Raportin mbi dioqezën e Kloin. Sidoqoftë – vijoi atë Lombardi – urohet që diskutimi, në vijim, mbi tema kaq dramatike, të zhvillohet me objektivitet, duke kontribuar për çështjen, që e kanë për zemër të gjithë, domethënë, për mbrojtjen e fëmijëve e të të rinjve si dhe për rikthimin e klimës së besimit e të bashkëpunimit për këtë qëllim, në Kishë e në shoqëri, siç uron edhe Papa në Letrën drejtuar katolikëve të Irlandës.
Të mërkurën e kaluar, gjatë një diskutimi parlamentar mbi Raportin Kloin, kryeministri irlandez Enda Keni, akuzoi Vatikanin se i ka inkurajuar ipeshkvijtë të mos i denoncojnë shpërdorimet pranë autoriteteve zyrtare.
Ndërsa kryeipeshkvi i Dublinit, Diarmuid Martin, në një intervistë dhënë Radios kombëtare Rte, si shprehu keqardhjen e tij të thellë për situatën e krijuar, i hodhi poshtë vendosmërisht akuzat e mësipërme, duke nënvizuar se në dioqezën e Kloin janë azhurnuar normat e 2001-it, hartuar nga Papa i sotëm, asokohe kardinali Racinger. Primati i Irlandës ripohoi edhe se ai vetë i ka dorëzuar Komisionit hetimor Mofi, 70 mijë dokumente, duke i denoncuar të gjitha rastet e deklaratave për shpërdorime në policinë irlandeze. - Nuk jam thirrur kurrë në Vatikan për këtë çështje – shtoi kardinali, i cili më pas i dënoi hapur të gjithë ata që e tradhtojnë Kishën, duke u tallur me normat e saj, por nuk ngurroi të kritikonte edhe qeverinë irlandeze, sepse edhe asaj i takonte të merrte masat e duhura për mbrojtjen e fëmijëve. Së fundi bëri thirrje të mos rrezikohet bashkëpunimi ndërmjet sektorëve të ndryshëm të shoqërisë civile: “Nuk dua të shikoj – theksoi me forcë – kundërshtime ndërmjet Kishës, Shtetit e vullnetarëve. Duhet të punojmë së bashku për t’i mbrojtur fëmijët nga çdo rrezik i mundshëm, kudo e kurdoherë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.