2011-07-21 13:12:14

Çelësi i fjalëve të Kishës: pse e quajmë Zotin, "Atë"


Besimtarët katolikë e thërrasin Zotin e Gjithpushtetshëm “Atë”, pra i japin atij vlerën e babait në familje, i cili organizon, udheheq e merret me bijtë e me të afërmit e vet, me dashuri e mirësi. Por cili është kuptimi i krishterë i fjalës “Atë”. Për këtë do të flasim në emisionin e sotëm.
Termi “Atë” ka para së gjithash vlerë shoqërore e psikologjike. Vërtet, nga njëra anë, mishëron shtyllën që mban familjen, sidomos në një shoqëri të tipit patriarkal; nga ana tjetër, siç na mëson psikologjia moderne, përvijon marrëdhënie të ndërlikuara me bijtë, të cilat karakterizohen edhe nga konflikte e tensione e jo vetëm nga dashuria e intimiteti i thellë. Ne do t’i kushtojmë vëmendje vlerës teologjike që merr kjo fjalë, natyrisht duke u nisur nga kuptimi i saj i zakonshëm në lidhjen babë e bir, por duke pasur parasysh se në të gjitha kulturat, edhe Zoti thirret “atë”.
Kështu bën edhe Besëlidhja e Vjetër, ku titulli i “birit” nuk i njihet vetëm mbretit (Ps 2,7), por të gjithë izraelitëve, “bij të Zotit të tejetlartë” (Est 8,12q): “Sikurse baba ka dhembje për fëmijët e vet, ashtu Zoti ka dhembje për ata që e druajnë”, thuhet në Psalmin 103 (rr. 13); ose, në Librin e Fjalëve të Urta, “Zoti qorton atë që do, shi porsi baba fëmijën që e ka për zemër” (3,12); apo më tej, “Vallë Efraimi a s’është biri im i dashur, a s’e kam unë djalë për zemër?” pyet vetë Hyji në Librin e Jeremisë (31,20); e më pas në Profecinë e Ozesë, goja e Zotit thotë “Kur Izraeli ende ishte djalë, unë e doja e prej Egjiptit e thirra birin tim” (11,1). Prandaj, besimtari hebraik i lutet Zotit me intimitetin e birit: “Ati ynë je, ti o Zot”; “O Zot, Ati e Hyji i jetës sime…Ti je Ati im, mos më lësho në ditën e ngushticës”; “Pse, a s’e kemi të gjithë vetëm një Atë?” (Is 64,7; Sir 23,4; 51,14; Mal 2,10).
Edhe Jezusi e vazhdon këtë traditë të rrënjosur thellë në kulturën e kohës dhe të pasqyruar gjerësisht në faqet e Biblës, por i jep një shtysë të re. Vërtet, përvijohet para së gjithash, lidhja unike ndërmjet Krishtit dhe Atit të tij Qiellor: “Hyjin kurrë askush nuk e pa – vë në dukje shën Gjoni ungjilltar – Biri i vetëm, që është Hyj, një natyre me Atin, Ai e bëri të njihet” (Gjn 1,18). Jezusi përdor shpesh frazën “Ati im”, pikërisht për të treguar lidhjen e veçantë e të jashtëzakonshme atë/bir, që ekziston ndërmjet Tij dhe Hyjit të Gjithpushtetshëm. Madje, shën Gjoni ungjilltar përdor dy fjalë të ndryshme greke për të përcaktuar Jezusin si Bir të Hyjit, “hyiòs” e ne të tjerët, që gjithnjë jemi bij të Hyjit, na quan “tèkna”. Edhe shën Pali apostull, që e pranon se ne jemi bij të Hyjit, përmes pagëzimit, përdor idenë juridike të “hyiothesìa”, pra të “birësimit në shpirt” (Rm 8,15).
Për të krishterët Zoti është ai “atë”, i cili “aq fort e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin e vet”, jo “për ta dënuar botën, por që bota të shpëtojë nëpër Të” (Gjn 3,16-17). Ati Qiellor është bujar në dashurinë e tij për krijesën e vet, edhe kur kjo e fundit e tradhton, ngre krye, ose nuk e dëgjon: shembëlltyra e atit të gatshëm ta falë birin e tij plangprishës është simboli më i lartë, që mund të gjendet në Bibël për këtë (Lk 15,11-32). Misioni i Jezu Krishtit Bir, lidhur ngushtë me Atin Hyjnor – shën Gjoni shkruan: “Unë dhe Ati jemi një…Ati është në mua dhe unë në Atin” (10,30.38) – është zbulimi dhe dhurimi i fjalës e i dashurisë atërore të Zotit për të gjithë bijtë e tij. Prandaj Ungjilli thotë: “Ati do t’ju japë çfarëdo të kërkoni në Emër tim”, e më pas “Kush më urren mua, urren edhe Atin tim” (Gjn 15,16; 16,23).
Lutja, që Jezusi u mëson dishepujve është “Atyna”, ku shihet qartë intimiteti i ngushtë e birnor me Hyjin, të cilin Krishti e thërret “abbà”, pra “atë” ose “babë”. E siç thuhet në Letrën drejtuar Galatasve, edhe për ne, besimtarët e thjeshtë, “Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, i cili gërthet: Abba – o Atë! Këndej, më nuk je skllav, por bir; e mbasi je bir, atëherë, për vullnet të Hyjit, je edhe trashëgimtar” (Gal 4,6-7). E nëse jemi bij të Zotit, nuk mund të mos i përgjigjemi thirrjes së Jezu Krishtit: “Jini pra të përkryer/mëshirshëm, siç është i përkryer/mëshirshëm edhe Ati juaj, që është në qiell” (Mt 5,48; Lk 6,36).







All the contents on this site are copyrighted ©.