2011-07-21 13:09:36

Kardinali Toran: të krishterët e Tokës së Shenjtë janë pakicë që vlen, dhuratë për shoqërinë.


Të krishterët në Tokën e Shenjtë janë pakicë, por pakicë me vlerë të madhe. Kështu u shpreh kardinali Zhan-Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, duke folur para konferencës ndërkombëtare për të krishterët në Tokën e Shenjtë, mbajtur në Londër. Kryetari i dikasterit për dialogun ndërfetar ripohoi me forcë rëndësinë e dialogut ndërmjet feve dhe bëri thirrje që Toka e Shenjtë të mos shndërrohet në zonë arkeologjike.

Pakicë, por me vlerë për të gjithë krishterimin. Me këtë sy i shikon kardinali Toran të krishterët në Tokën e Shenjtë. Jetojnë në kushte të vështira, natyrisht. Të ligështuar nga luftërat, detyrohen shpesh të emigrojnë. Por pikërisht këta njerëz të ligshtë, janë dhuratë për shoqërinë, sepse hapin rrugë të reja kulturore, u kujtojnë të gjithëve dinjitetin e njeriut, të gruas sidomos; u kujtojnë konceptin e lirisë, që harmonizon të drejtat e privilegjet, me një shoqëri politike, e cila mund të çojë drejt demokracisë. E jo vetëm: të krishterët, për vetë natyrën e tyre, luajnë gjithnjë rolin e urës, nënvizoi kardinali Toran, e, së bashku me hebrenjtë e myslimanët, duhet të jenë gjithnjë lajmëtarë të shpresës, në kujtim të Abrahamit, “Atit” të të tre besimeve monoteiste. Kjo, nga që feja na mëson se ka vetëm një të ardhme, të përbashkët për të gjithë.
Prej këndej, thirrja e kardinalit që Toka e Shenjtë të mos kthehet në zonë arkeologjike, në muze nën qiellin e hapur, që e viziton, pasi të kesh paguar një biletë. Për të krishterët, Viset e Shenjta janë ‘dëshmitare të gjalla’, Tokë, ku u dëftua Zoti; vend, ku jetoi, vdiq e u ngjall Jezu Krishti.
Dy karakteristika të tjera, vijoi Kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, i bëjnë krejtësisht të veçantë të krishterët Tokës e Shenjtë, ashtu si të të gjithë Lindjes e Mesme: ata janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të fesë apostolike, janë arabë, ardhur në këtë zonë para myslimanëve. Prandaj nuk kërkojnë strehim, sepse janë në shtëpi të vet. Kanë jetuar prej shekujsh në Tokën e Shenjtë. Prej këndej, me rëndësi të dorës së parë, zgjidhja e problemit të statusit juridik për Jeruzalemin. Duke theksuar vijën e Selisë Apostolike, kardinali Toran uroi që pjesa më e shenjtë e qytetit, ku ndodhen viset më të dashura për të trija fetë, që besojnë në një Zot të vetëm, të ketë një status të veçantë, garantuar në nivel ndërkombëtar. Në këtë mënyrë, nënvizoi kardinali Toran, të krishterëve, hebrenjve e myslimanëve mund t’u sigurohen të drejtat themelore, si liria e ndërgjegjes, e fesë, e qarkullimit, të drejtat qytetare, e drejta e shkollimit, e mbrojtjes së shëndetit dhe e institucioneve të veta.
Të krishterët në Tokën e Shenjtë, vijoi kardinali Toran, nuk pretendojnë t’i imponohen kujt. Kanë vetëm një dëshirë: të lulëzojnë, atje ku i mbolli Zoti e t’i bindin edhe të tjerët se feja, cilado qoftë, është ftesë për të ecur përpara pa idhuj, plot solidaritet.Duke kujtuar, së fundi, interesimin e thellë të Benediktit XVI për temën e konferencës, kardinali Toran e përfundoi fjalën me një thirrje për qëndrim të guximshëm, domethënë, për të mos e ndërprerë dialogun, por për ta vijuar, me bindjen se kështu shkohet drejt së vërtetës, drejt paqes, aq të dëshiruar në këto vise, të dashura për të gjithë besimtarët e botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.