2011-07-21 13:10:08

Embrioni i njeriut nuk “patentohet”: lobet evropiane ngulmojnë ta përmbysin këtë tezë.


Gjykata e drejtësisë e Bashkimit Evropian muajt e ardhshëm duhet të përcaktojë përfundimisht nocionin e “përdorimit të embrioneve të njeriut për qëllime industriale ose tregtare”, përcaktim që parashikohet nga një direktivë evropiane e 98-tës e që interpretohet në mënyra nga më të ndryshmet.
Debati rreth patentimit të sistemeve për prodhimin e qelizave në një kontekst tregtar dhe ekonomik, rindez kështu, edhe atë etiko-juridik të statusit të embrionit dhe e ndan bashkësinë shkencore.

Problemi lindi në Gjermani, pasi Gjykata Federale e patentimeve, duke iu përgjigjur kërkesës për prishje vendimi nga ana e shoqatës Greenpeace, e pati deklaruar të pavlefshme një patentë lidhur me qelizat e prodhuara duke u nisur nga qelizat burimore embrionale njerëzore. Më pas, pronari i patentës e apeloi vendimin pranë Gjykatës Federale gjermane të kasacionit, që e ndërpreu gjykimin dhe kërkoi nga Gjykata e drejtësisë e BE-së, të shprehte mendimin e vet për nocionin e “embrionit njerëzor”. Duhet kujtuar se kjo temë në Evropë disiplinohet nga një direktivë, që ndalon përdorimin e embrioneve të njeriut për qëllime industriale ose tregtare, por pikërisht për interpretimin e këtij ligji u hap procesi në fjalë. Më 10 marsin e kaluar, avokati i përgjithshëm i Gjykatës, Yve Bot, i mbylli hetimet dhe paraqiti përfundimet që – duke shpjeguar gjerësisht konceptin “embrion njerëzor” - konfirmojnë anulimin e patentës. Pak muaj më vonë, në revistën “Nature” u botuan dy thirrje të kundërta, nga ana e dy grupeve të ndryshme studiuesish, përkatësisht në favor e në kundërshtim me patentimin e qelizave burimore embrionale. Lidhur me këtë temë tejet delikate për fatet e jetës njerëzore, të dëgjojmë profesorin Antonio Spanjolo, drejtor i Institutit të Bioetikës pranë Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, në Romë:

Përgjigje: - Njihen dy tipe qelizash burimore, të ashtuquajtura “embrionale”: së pari, qelizat burimore “totipotente”, që janë në gjendje të riprodhojnë një embrion, domethënë, në se shkatërrohet një qelizë burimore totipotente, shkatërrohet një embrion. Së dyti, qelizat burimore “pluripotente”, që merren nga embrionet e mund të shërbejnë për krijimin e disa indeve, por jo të gjithave. Ja pra, këtu ngatërrohet lëmshi. Disa mendojnë se anulimi i patentës nuk justifikohet, duke pohuar: qelizat që kemi prodhuar janë burimore pluripotente, domethënë, qeliza nga të cilat nuk mund të krijohet embrioni. Gjithsesi, siç vëren avokati Yves Bot, këtu lind problemi, sepse për të fituar qeliza burimore pluripotente - të cilat, urojmë të përdoren për të mjekuar, por ky mbetet një aspekt i dyshimtë, sepse shikohen ende shumë ëndrra me sy hapur lidhur me të - unë duhet të shkatërroj një embrion. E theksoj: edhe pse qeliza pluripotente nuk është embrion i mirëfilltë, për ta fituar atë, duhet shkatërruar një embrion.

Pyetje: - A ekziston një nocion i përbashkët i shteteve të Bashkimit Evropian për “embrionin njerëzor”?

Përgjigje: - Kur, disa vjet më parë, Parlamenti evropian dhe Këshilli i Evropës deshën të krijonin një lloj tregu të përbashkët për idetë e bioetikës, duke hartuar, në vitin 1996, të ashtuquajturën “Konventë të bioetikës”, në këtë rast objektivi ishte të arrihej tek përkufizime, me të cilat do të ishin dakord të gjitha shtetet anëtare. E shtetet u morën vesh për shumë probleme të pazgjidhura, si eksperimentimi, dhënia e lejes, trapiantet, fundi i jetës, etj. etj., ndërsa për nocionin “embrion”, nuk u arrit në asnjë përfundim e u tha se nocioni i embrionit do të përcaktohej sipas ligjshmërive të shteteve të ndryshme. Kështu mbeti deri më sot i papërcaktuar, pa një vizion komunitar e avokati Bot nënvizon se kjo detyrë e rëndësishme duhet kryer. Embrioni duhet të ketë përkufizimin e vet, të mirëpërcaktuar e të miratuar nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

Pyetje: - Në se Gjykata e drejtësisë e Bashkimit Evropian, duke pranuar mendimin e avokatit të vet Bot, do ta hidhte poshtë edhe këtë patentë, që arrin nga Gjermania, a mund të themi se u bë një hap i rëndësishëm përpara, drejt përkufizimit komunitar të “embrionit njerëzor”?
Përgjigje: - Them absolutisht po, sepse konsideratat e avokatit Bot e edhe analiza e hollësishme që i bën problemit, duke pasur mirë parasysh fazat e ndryshme të zhvillimit të embrionit, janë pohim i mirëfilltë antropologjik, e kështu mund të pohojmë edhe se diskutimi mbi embrionin ka arritur në një fazë më të lartë njohjeje.







All the contents on this site are copyrighted ©.