2011-07-21 13:11:23

Alarm i OKB-së për Somalinë. Uria vret në heshtje


Rritet shqetësimi ndërkombëtar për emergjencën e thatësirës në Bririn e Afrikës, ku mëse 10 milion vetë po vuajnë nga uria e nga etja. Kombet e Bashkuara deklaruan zyrtarisht gjendjen e katastrofës për dy rajone të Somalisë, kontrolluar nga rebelët: Bakool dhe Shabele e Poshtme. Mbi këtë vend, prej vitesh në konflikt, intervistuam afrikanistin e gazetës italiane “La Stampa”, Domeniko Kuiriko, i sapokthyer nga Somalia:
Në thelb, problemi qëndron në mungesën e parave. U mungojnë fonde agjensive të OKB-së, të cilat duhet të ndërhyjnë; i mungojnë shuma të konsiderueshme Komisariatit të Lartë për Refugjatët e të tjerëve. Janë dhënë vetëm gjysma e fondeve të nevojshme për ndërhyrjet e urgjencës, në një zonë, ku rrezikojnë të vdesin nga uria dhjetë milion vetë. Mendoj se pas thirrjes së Papës në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, diçka fillon të lëvizë. Por nuk ka kohë për të humbur.

Sigurisht, nuk ka kohë, por duket sikur njerëzit nuk e kanë mirë parasysh se ç’po ndodh. Somalia është larg e me të, edhe problemet e saj. Ti çfarë pe në vend?

Vdekja nga uria është – të themi kështu – më “e padukshmja” nga format e tjera të vdekjes, sepse njeriu vdes në heshtje. Nuk bërtet, nuk e ngre zërin. Njeriu, që vdes nga uria, shuhet. Duhen parë fotografitë, që të kuptohet kjo. Në kohën e zisë së parë të bukës, në fillim të viteve ’90, bota u mobilizua në sajë të një reportazhi të jashtëzakonshëm televiziv, përmes të cilit, njerëzit kuptuan se një pjesë e tyre, një pjesë e njerëzimit, po vdiste, ose kishte vdekur nga uria. Duhet treguar se kjo lloj vdekjeje shteron dalëngadalë të gjitha energjitë jetësore, i kthen eshtrat në shkopinj të hollë, bën të vdesë çdo qelizë e trupit, për të kaluar më pas në tru. Njeriu nuk reagon më, nuk interesohet më për jetën. Ose, reagimi tjetër është tërbimi, kërkimi i dëshpëruar i ushqimit, për të cilin sakrifikohet çdo gjë. Je gati edhe të vrasësh për pak ushqim. Në këto zona, ka nëna që hedhin fëmijët, sepse tashmë truri i tyre mendon vetëm një gjë: si të gjejë ushqim. Është e tmerrshme ta shohësh këtë vetëm tek një person, mendo për njëmijë, dhjetëmijë, dhjetë milion vetë, siç mund të jetë skenari apokaliptik i Bririt të Afrikës. Unë besoj se nuk do të arrihet deri këtu, sepse bota, megjithëse shpërfillëse, egoiste dhe dorështrënguar, është akoma në gjendje të ndërhyjë. Po t’u tregojmë njerëzve këto, që thashë, ndërgjegjet do të mobilizohen më shpejt. Mbi të gjitha, në Somali nuk duhet ndërhyrë vetëm me ndihma emergjence, por sidomos me ndihma të tipit politik.

Edhe sepse shteti somalez mungon krejtësisht, nuk është në gjendje të bëjë asgjë…

Somalia është një lloj boshllëku i jashtëzakonshëm, që fuqitë e mëdha, Perëndimi i pasur ka në ndërgjegje. Në të kaluarën, kur Somalia u bë element i internacionales islamike, pati një farë interesi, pasi dukej se Bin Ladeni mund të kishte aty përkrahës. Atëherë u veprua në një mënyrë dyfish kriminale: u shkaktua luftë ndërmjet afrikanëve. Në këtë hapësirë boshe, heshtjeje, në këtë vend ndodhi gjithçka, nga tërbimi më i tmerrshëm në manifestimet e skajshme të fanatizmit fetar. Krejt populli ishte peng i disa kriminelëve. Kjo është Somalia e sotme, kjo është Somalia, që ndodhet përballë një etape tjetër të kalvarit të vet, zisë së bukës. Por ky nuk është vetëm problem meteorologjik, pra i mungesës së shiut. Somalezët bashkëjetojnë me thatësirën dhe kanë teknika primitive, por shumë të holla, mbijetese. Janë shumë të aftë në ruajtjen e ujit. Ai, që sot e shndërron gjendjen e vështirë në katastrofë është pikërisht realiteti politik. Prandaj, kësaj here, çdo ndërhyrje duhet të marrë parasysh karakterin politik të kësaj zie buke, pasi i njëjti problem do të paraqitet çdo vit edhe për 20, 40, 50, 100 vjet të tjera. A është e gatshme bashkësia ndërkombëtare ta përballojë këtë? Kjo është çështja.







All the contents on this site are copyrighted ©.