Më 20 korrik kalendari përkujton shën Apolinarin, martir
Shën Apolinari, ipeshkëv i Ravenës e martir jetoi ndërmjet shekujve II-III. Me origjinë
nga Antiokia, kreu shërbimin ipeshkvnor në qytetin perandorak të Ravenës. Ka shumë
mundësi që këtë detyrë t’ia ketë ngarkuar vetë Shën Pjetri Apostull. Iu kushtua me
mish e me shpirt misionit të ungjillëzimit të Emilia Romanjës derisa, sipas traditës,
vdiq si martir. Për kujtimin e tij u ngritën tri bazilika të njohura: e Shën Apolinarit
in Classe, ku ruhen reliket dhe një mozaik i famshëm kushtuar Shenjtit, shuguruar
në vitin 544 dhe Shën Apolinari i Ri, të dyja pranë Ravenës si dhe bazilika në Dizhon
të Francës. Në katedralen e Bolonjës, që e ka zgjedhur si pajtor, sepse qe bariu i
parë i vendit, i kushtohet një elter i posaçëm. Por emri i Shenjtit u bë shumë shpejt
i njohur edhe në Gjermani përmes predikimeve të murgjërve benediktinë, kamaldolezë
e avelanitë. Meshari Romak e ka caktuar 23 korrikun si ditë të përkujtimit të tij
por, me dëshirën e Gjon Palit II, nisi të kremtohej tri ditë para, për t’i lënë vend
shenjtorëve të tjerë, që përkujtohen në këtë datë. E më 23 përkujtohet një shenjtore
e madhe: shën Brigjida, bashkëpajtore e Evropës.