Më 20 korrik 1621 dom Pjetër Budi emërohet ipeshkëv i dioqezës së Sapës e Sardës.
Duke shfletuar kalendarin historik, përkujtojmë se si sot më 20 korrik të vitit
1621 dom Pjetër Budi emërohet ipeshkëv i dioqezës së lashtë shqiptare të Sapës e Sardës.
Imzot Pjetër Budi u lind në Gur të Bardhë të zonës jugore të Matit, në vitin
1566. Formimin e tij meshtarak dhe studimet filozofike e teologjike i bëri në Kolegjin
Ilirik të Loretos dhe në moshën 21 vjeçare u shugurua meshtar dhe menjëherë u dërgua
të shërbente me mision në Maqedoni e Kosovë që aso kohe ishin nën juridiksionin kishtar
të kryedioqezës së Antivarit, ( Bari i sotëm në Mal të Zi), ku ndjeji për 12 vjet.
Gjatë qëndrimit dhe misionit të tij meshtarak në Kosovë, dom Pjetër Budi hyri
në kontakt me françeskanët e Bosnjës, një marrëdhënie kjo që i shërbeu në vitet e
mëvonshme e në përpjekjet e tij politike për të krijuar mbështetje e ndihma për rezistencën
shqiptare kundër pushtimit të Perandorisë Osmane. Në vitin 1599, dom Pjetër Budi qe
emëruar Vikar i Përgjithshëm i Kishës katolike të Serbisë, detyrë e rol të cilin e
mbajti për 17 vjet. Si përfaqësues i Kishës katolike në Ballkanin e pushtuar
nga turqit, Budi veproi pa dyshim në një situatë politike teje të vështirë e me tensione
të mëdha, aq më tepër kur e konsiderojmë angazhimin e tij politik për kauzën shqiptare,
sepse Budi synonte lirimin e popullit të vet nga pushtimi e trysnia turke.
Për këtë ai pati kontakte me figura të mëdha të rezistencës siç ishte kroati Franjo
Brtuçevic e kryengritësit shqiptarë. Në vitin 1615 dom Pjetër Budi shkon në Romë
ku ndenji deri më 1618 për t’i botuar veprat e tij në gjuhën shqipe. Nga marsi i vitit
1618 e deri në shtator të vitit 1619, Budi shkoi në shtegtim në Santiago të Kompostelës
në Spanjë. Pasi u kthye në Romë në vjeshtë të vitit 1619 u angazhua të informonte
Kurien Romake mbi gjendjen e mjerueshme të të krishterëve në Shqipëri e në vise tjera
të Ballkanit nën pushtimin turk. Prandaj kërkoi ndihma materiale e financiare për
të mbështetur rezistencën që synonte çlirimin nga zgjedha turke. Më 20 korrik të
vitit 1621, Pjetër Budi u emërua ipeshkëv i Sapës e Sardës e një vit më vonë e nisi
misionin e tij ipeshkvnor në Shqipëri, ku zhvilloi misionin ipeshkvnor e krahas veprimtarisë
ungjillore iu përkushtua edhe aktiviteteve të natyrës atdhetare e politike. Në dhjetor
të vitit 1622 duke kaluar lumin Drin, humbi jetën. Vdekja e tij tragjike mbetët një
enigmë. Po kujtojmë veprat e tij. Vepra e parë e ipeshkvit shqiptar imzot Pjetër
Budit qe “Doktrina e Kërshtenë” që është përkthim i katekizmit të shën Boberto
Bellarminit, botuar në Romë më 1618. Nga aspekti letrar, më shumë se katekizmit, janë
me interes 53 faqet e poemave fetare, që përbëjnë shembullin e parë të poezisë në
dialektit Gegë. Disa prej poemave janë përkthim nga latinishtja ose italishtja mirëpo
një pjesë e mirë janë origjinale. Disa botime tjera të Imzot Budit qenë: Rituali
Romak, një përmbledhje me ritin e Meshës, të sakramenteve të ndryshme, të lutjeve
e komenteve të pjesëve biblike në gjuhën shqipe. Pastaj kemi edhe një përmbledhje
prej 16 faqesh mbi shpjegimin e Ritit të Meshës. Po vepra më e njohur e imzot Pjetër
Budit është “Pasqyra e të Rrëfyemit”, përkthim e adaptim i veprës “Speculum
Confessionis” e Emerio de Bonis. Imzot Pjetër Budi është poeti i parë shqiptar
që shkroi vargje, afër 3.300 rreshta vargjesh fetare në kuartinë me rimë të alternuar.
Imzot Pjetër Budi është poeti i parë shqiptar që shkroi vargje, afër 3.300 rreshta
vargjesh fetare në kuartinë me rimë të alternuar.