2011-07-20 17:13:56

Berisha: Deklarimi i përkatësisë etnike-fetare me vullnet të lirë


Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, në mbledhjen e qeverisë deklaroi se regjistrimi i popullsisë në vend përbën një akt të rëndësishëm për të njohur të vërteta thelbësore të individit.
“Sot është regjistrimi i popullatës dhe pasurive të qytetarëve shqiptarëve përbën një akt madhor, por të rëndësishëm për të njohur të vërteta më thelbësore të individit, shoqërisë, kombit dhe vendit në momentin kohor në të cilin realizohet”, - theksoi Berisha.
Berisha reagoi ashpër ndaj zërave kundër të ligjit, duke i etiketuar ata si ateistë, që kanë frikë nga zoti dhe njerëz pa flamur e pa identitet.
“Vetëm flamur nuk kanë ata. Të njëjtën gjë bënë një pjesë e tyre për kartat e identitetit dhe tani na thonë se nëse shqiptarët do kenë mundësi të shprehen për besimin dhe etninë do shpërbëhet qenia jonë, janë të shpërbërë ata, nuk kanë përmbajtje asgjë me identitetin e kësaj shoqërie” - tha Berisha.
Kryeministri Berisha, sqaroi se zgjedhjet lokale të 8 majit ishin shkaku se pse regjistrimi i popullsisë u shty për në vjeshtë, pasi në këtë proces siç tha si do të ketë një rol kryesor edhe pushteti lokal.
“Shkaku pse u shty sensusi ka qenë fushata zgjedhore lokale, sepse qeveritë vendore kanë përgjegjësinë e tyre në këtë akt madhor që Shqipëria do dëshmohet si një vend që ecën, si vend i zhvilluar me të ardhura të mesme të larta”,- nënvizoi Berisha.
Duke i’u përgjigjur atyre që e kundërshtojnë këtë proces, kreu i qeverisë tha se qytetarët shqiptar do të kenë mundësinë të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike dhe fetare me vullnet të lirë dhe nëse e mendojnë se nuk duhet ta bëjnë një gjë të tillë, janë të lirë të mos i shënojnë këto të dhëna.
“Shqiptarët do regjistrohen si qytetarë të lirë, të tregojnë pronat, pasuritë, besimin dhe përkatësinë pa asnjë detyrim dhe me vullnet të lirë. Ai që i konsideron si çështje private është i lirë të mos shënojë asnjë çështje. Unë do t’i shënoj për vetë se jam krenar për identitetin tim”,- deklaroi kreu i ekzekutivit.
Berisha theksoi se asnjë qytetar nuk do të ndihet i cenuar nga deklarimi i përkatësisë etnike dhe fetare, pasi siç sqaroi kreu i ekzekutivit, ato do të përdoren vetëm si një e dhënë e caktuar e periudhës në të cilën bëhet ky regjistrim, ndërkohë që qeveria do ti përdorë këto të dhëna vetëm për strategji të ndryshme zhvillimi.

“Regjistrimi është një e dhënë e caktuar e vjeshtës së vitit 2011, i cili pasqyron një tregues demografik të vjeshtës së vitit 2011, nuk pasqyrohet as në gjendje civile, por përdoret nga qeveria në politikat e zhvillimit, për shpërndarjen e të ardhurave kombëtare, e cila bazohet në disa tregues njëri prej të cilëve është popullata. E përdor për strategji zhvillimi, për një seri qëllimesh të politikbërjes, por nuk ka asnjë lidhje me gjendjen civile.”- theksoi kryeministri. (BalkanWeb)







All the contents on this site are copyrighted ©.