Françeskani Atë Konrad Gjolaj është një nga emrat që rrallë e kurrë përmenden ndër
mjetet zyrtare të komunikimit; një nga njerëzit për të cilët nuk kujtohet kush, kur
debatohet pati apo s'pati disidencë në Shqipërinë e diktaturës, një nga ata që nuk
figurojnë në vitrinat e librarive. Por kjo nuk mund ta shlyejë emrin e tij e të atyre,
që flijuan jetën për t'i qëndruar besnikë Krishtit! Edhe në mos u kujtofshin mbi tokë,
besimtarët janë të sigurt se emrat e tyre janë të shënuar me germa ari në Librin e
madh, të amshuar të qiellit, ku shkruan e shlyen vetë dora e Zotit. Një prej këtyre
emrave po kujtojmë sot: Atë Konrad Gjolajn, që ndërroi jetë shtatë vjet më parë në
Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit në Shkodër. Jeta e tij, filluar më 2 janar 1918
në Velipojë, është simbol sa i dhimbshëm, aq edhe i lavdishëm i rrugës që përshkoi
shumica e meshtarëve katolikë shqiptarë, dëshmi e gjallë se në Shqipërinë e diktaturës
pati disidencë të fuqishme, në emër të idealeve të pavdekshme të Fesë e të Atdheut.
Nxënës i një gjermani të kulturuar, që derdhi gjakun në e për tokën shqiptare,
bir në shpirt i së cilës ishte, Don Alfons Trackit, Atë Konradi eci besnikërisht në
gjurmët e mësuesit martir. Ishte vetëm 25 vjeç kur u ngjit në elterin e bazilikës
së Shën Gjonit në Lateran, që njihet si katedralja e Romës, për të kremtuar Meshën
e parë, për ta vijuar pastaj misionin në Atdhe, ku më 1947 u arrestua vetëm pse ishte
frat. I përgatitur me kulturën e përgjithshme më të gjerë të kohës në Liceun "Illyricum"
në Shkodër dhe më pas në Universitetin Antonianum të Romës, ku u doktorua në drejtësi
kanonike, ai diti të mbronte idealet fetare e atdhetare me dinjitet të pashoq e aftësi
të rralla juristi, para gjyqit farsë të komunistëve, drejtuar nga gjykatës të përgatitur
ndër kurse kundër analfabetizmit, në duar të të cilëve qenë partia e pushteti, drejtësia
e vetë jeta. Çuditemi pastaj pse Shqipëria është katandisur në vendin më të varfër
të Evropës! Në vend që të lirohej me admirim për mbrojtjen e jashtëzakonshme që
nxirrte në dritë pafajësinë e tij, duke fajësuar gjykatësit, për të nisi udha e kryqit,
kalvari i një vendi, ku drejtësia nuk ekzistonte. Rrugën e jetës së tij, sa të mundimshme,
aq të lavdishme, që e përfundoi si sot shtatë vjet, na e la trashëgim në shkrimet
e botuara ndër faqet e revistës "Hylli i Dritës" dhe në atë që e quajti "vepra eme
e mbrame" në librit e tij me kujtime "Çinarët".