2011-07-19 13:03:00

Pas një muaji, Papa në Madrid për DBR-në. Aplikacion i ri për YouCat


Pas më pak se një muaj, më 18 gusht, Papa do të shkojë në Madrid për Ditën e 26-të Botërore të Rinisë, e cila do të vazhdojë deri më 21 gusht në kryeqytetin spanjoll. Në fund të qershorit, të regjistruarit zyrtarë kishin arritur shifrën 440 mijë, por priten mëse një milion të rinj nga e gjithë bota. Mbrëmë, në katedralen e Shën Marisë La Real de La Almudena mbërritën kryqi dhe ikona e Ditës Botërore të Rinisë, pas një shtegtimi të gjatë në dioqezat spanjolle, që përgatiten për ngjarjen e madhe. Në praninë e këtyre dy simboleve, kardinali kryeipeshkëv Antonio Maria Ruoko Varela kryesoi lutjen, ku morën pjesë grupet e impenjuara në organizim. Rruga e kryqit dhe e ikonës së Ditës Botërore të Rinisë filloi më 14 shtator 2009, në festën e Lartimit të Kryqit, po me një lutje kryesuar nga prelati.
Siç e kemi thënë edhe herë të tjera, në çantën e shpinës që çdo i ri do të marrë sapo të mbërrijë në Madrid, do të jetë edhe YouCat, katekizmi i Kishës Katolike, shkruar në formë pyetje-përgjigjeje, i përshtatshëm për rininë. Pikërisht këto ditë, Shtëpia Botuese “Città Nuova” (Qyteti i Ri), e cila është kujdesur për edicionin italian të YouCat, ka përgatitur një aplikacion për celularët e teknologjisë së fundit. Është një “app”, pra një aplikacion, që quhet edhe ai YouCat e që do t’u mundësojë të rinjve të konsultojnë temat e katekizmit e të Ditës Botërore të Rinisë. Por, për çfarë është fjala ekzaktësisht? Pyetëm Gjulio Meacinin, bashkëpunëtorin e shtëpisë botuese, që është marrë me aplikacionin në fjalë:
Shtëpia Botuese “Qyteti i Ri” mendoi t’u bëjë një dhuratë të rinjve, që shkojnë në Madrid, duke u dhënë atyre mundësinë të shkarkojnë në celularët me sistem operativ Apple, Windows ose Android – pra në shumicën e celularëve me teknologjinë e fundit – këtë “app” falas. Aplikacioni do të funksionojë si Facebook, me një faqe, që shërben si “mur” mesazhesh, ku mund të shkëmbehen komente, ku çdo i ri mund të vendosë profilin e vet, ku ka rrethin e miqve të vet, por edhe “miq të famshëm”, miq të veçantë. Ne për shembull, kemi vendosur Maritë’, Gjon Palin II, shën Françeskun, kardinalin Van Tuan… Prandaj çdo dy ditë, në këtë aplikacion të YouCat mund të gjejmë fraza të njohura të këtyre personaliteteve. Përveç kësaj, përsa i përket veçanërisht Ditës Botërore të Rinisë, përmes këtij aplikacioni kemi mundësi të marrim lajme të përditshme mbi ngjarjet e të krijojmë një lloj “bashkësie” me pjesëmarrësit përmes informacioneve, komenteve…
Kjo i përgjigjet disi asaj që ka shkruar Benedikti XVI në hyrjen e YouCat. Vërtet, Papa i fton të rinjtë ta studiojnë tekstin, por edhe ta lexojnë me miqtë e të formojnë grupe e rrjete studimi, t’i shkëmbejnë idetë me internet. Pra, kjo është përgjigjia juaj për kërkesën e Papës?
Pikërisht ky është kuptimi. Vërtet, funksioni tjetër i këtij aplikacioni, ndoshta më i rëndësishmi, është mundësia për të konsultuar në celular 20% të pyetjeve e të përgjigjeve të YouCat, të këtij doracaku katekizmi: është një mënyrë për ta bërë të pranishëm menjëherë këtë mesazh. Siç thoshte imzot Kroçiata në takimin me titull “Dëshmitarë digjitalë”, është strategjike të frekuentojmë botën digjitale për të çuar përpara misionin e ungjillëzimit.
Pra, qëllimi është t’u jepet të rinjve mundësia të diskutojnë mbi katekizmin e temat e tij përmes internetit, me celular…
Pikërisht! Ashtu siç janë mësuar të dialogojnë, të caktojnë takime e të marrin informacione përmes rrjeteve shoqërore, ashtu do të mund të shkëmbejnë përshtypje, të bëjnë pyetje e t’i gjejnë përgjigjet në YouCat, duke u thelluar në temat e propozuara nga katekizmi, ose duke shkëmbyer edhe frazat e famshme të miqve të veçantë, që përmenda më sipër. Shpejt do të hapet edhe një faqe interneti , ku do të vendosen informacione të tjera. Nuk mund të mos përmend edhe faqen ndërkombëtare të internetit, që po planifikohet nga shtëpi të ndryshme botuese në disa gjuhë, me argument YouCat. Editorë të tjerë na kanë kërkuar të botojmë pyetje-përgjigjet e katekizmit edhe në gjuhë të tjera, prandaj së shpejti do të shtohen anglishtja dhe frëngjishtja.







All the contents on this site are copyrighted ©.