Më 19 korrik kalendari përkujton Shën Makrinën, murgeshë
Makrina ishte e parëlindura prej dhjetë fëmijëve të Bazilit e të Emelies, familje
nga Ponti i Greqisë e familje e bekuar prej Zotit, që ndër bijtë e vet pati përveç
shën Makrinës edhe shën Bazilin e Madh, ipeshkëv i Cezaresë, shën Gregorin ipeshkëv
i Nisës, e Pjetrin meshtar e murg. Shenjtja njihet me emrin Shën Makrina “e re”,
për t’u dalluar nga e gjyshja, që kishte të njëjtin emër e që ishte ndjekëse e Shën
Gregorit mrekullibërës. Gjyshi i saj nga ana e nënës qe martirizuar në epokën e Dioklecianit.
Makrina qe edukuar nga gjyshja në njohuritë e Shkrimit të Shenjtë, Biblës e që
në moshë të re e ndihmonte të ëmën e saj në punët e shtëpisë e në edukimin e të gjithë
vëllezërve, aq më tepër kur e ëma mbeti vejush pas lindjes së fëmijës të dhjetë. Kur
të gjithë bijtë qenë sistemuar në mënyrë të përshtatshme, nënë e bijë mbetën vetëm,
e Makrina e bindi të ëmën për t’u tërhequr së bashku në vetmi në Anezi pranë Horës
në Ponti, pranë lumit Iris, për të themeluar një manastir për t’iu kushtuar Zotit
e meditimit të Fjalës së Tij jetëdhënëse e ku do të ndiqeshin edhe nga shërbëtoret
e shtëpisë së tyre në jetën murgare. Makrina pati ndikim të madh tek i vëllai Bazili,
i cili e braktisi jetën shekullare prej eruditi për të përqafuar, rreth vitit 356
jetën murgare, pastaj bëhet ipeshkëv i Cezaresë në vitin 370, duke u kthyer tek e
motra për vizitë në manastire në vitin 376; e shuguroi meshtar të vëllain e vogël
Pjetrin, që jetoi në një manastir afër atij ku jetonte e motra; Bazili vdiq më 1 janar
379. Me vdekjen e nënës së saj më 373, Makrina bëhet eprore e manastirit; në vitin
380 i vëllai, Gregori që qe bërë ipeshkëv i Nisës, duke u kthyer nga Koncili Kishtar
i Antiokisë, deshi të kalonte për vizitë tek e motra në Anezi, por e gjeti në shtratin
e vdekjes e pati me të një bisedë të paharrueshme që u pavdekësua në faqet e dialogut
“Mbi shpirtin dhe ringjalljen”. Vetë Gregori, duke i shkruar një letër murgut oshënar
Olimpit mbi doktrinën asketike e shpirtërore, tregon jetën e Shën Makrinës si shembull
të një jete kushtuar krejtësisht Zotit. Makrina vdiq më 380.