2011-07-19 13:09:57

Konferencë ndërkombëtare për të krishterët e Tokës Shenjte: nga Londra thirrje e katolikëve dhe e anglikanëve


Përfundoi sot në Londër, në rezidencën zyrtare të primatit të Bashkësisë Anglikane, Lambeth Palace, konferenca ndërkombëtare dy ditore mbi të krishterët e Tokës Shenjte. Takimi zhvillohet në një çast tepër të rëndësishëm, pasi përkrah tensionit për çështjet e Tokës Shenjte, ekziston një vetëdije në rritje për rëndësinë e paqes së qëndrueshme. Kryeipeshkvi i Kanterburit, Rouan Uiliams, primat i Bashkësisë Anglikane, organizator i takimit, uron të krijohet një fond i veçantë për financimin e projekteve në favor të ekonomisë lokale. Në këtë mënyrë, mund të kontribuohet vërtet në ndalimin e eksodit të të krishterëve nga trojet ku ka banuar Krishti. Të dëgjojmë vetë kryeipeshkvin Rouan Uiliams, në mikrofonin tonë:
“Do të doja t’u thosha të krishterëve të Tokës Shenjte se ne e vlerësojmë shumë praninë dhe dëshminë e tyre. Një dëshmi, që vazhdon në rrjedhën e historisë së krishterë, shpesh në kushte vuajtjesh e tensionesh të mëdha. Nuk mjafton të shkojmë për të parë vendet e shenjta, duhet të shkojmë të shohim “gurët e gjallë”, për ta kremtuar dëshminë, që japin të krishterët”.
E të krishterëve të Tokës Shenjte, që kanë nevojë për ndihmë, sidomos në fushën e edukimit e të arsimit, në mënyrë që të investojnë për të ardhmen, iu drejtua edhe imzot Vinsent Nikols, kryeipeshkvi katolik i Uestminsterit, me këto fjalë:
“Mesazhi që dua t’u jap të krishterëve të Tokës Shenjte është se i mbështesim shpirtërisht e me lutje. Falenderojmë Zotin për guximin e fenë tuaj e dëshirojmë ta dini se jeni në zemrat e në lutjet tona”.
Takimi, që u zhvillua dje e sot në Londër, u pasurua me dëshmitë e të krishterëve të Tokës Shenjte dhe me propozimet praktike për përmirësimin e jetës së përditshme të bashkësive të krishtera. Mori pjesë edhe Patriku i Jeruzalemit të Latinëve, imzot Fuad Tval, i cili na shpjegon se çfarë mund të bëhet në këtë çast, për të krishterët e Tokës Shenjte:
"Njerëzit, besimtarët, qytetarët janë të vetëdijshëm se kjo situatë nuk mund të vazhdojë. Janë politikanët ata, që nuk e kuptojnë këtë gjithmonë. Besimtarët e të gjitha feve – të krishterë, myslimanë e hebrenj – duan të kenë një jetë normale e të qetë. Gjatë konferencës folëm dhe i dhamë rëndësi parësore edukimit: t’i edukojmë të rinjtë të respektojnë njëri-tjetrin, ta njohin njëri-tjetrin. Kemi shumë institucione: Univeristetin e Betlehemit, Universitetin e Jordanisë, ku të gjithë mund të takohen e të mësojnë nga njëri-tjetri. Fakti që në Londër janë ftuar studentë të Betlehemit e të territoreve të pushtuara tregon se po u jepet rëndësi pikërisht të rinjve. Shpresojmë që Perëndimi, Londra dhe Evropa të jenë më të vetëdijshëm për gjendjen tonë të vërtetë e që secili, sipas mundësive, të punojë për më shumë drejtësi e paqe për të gjithë".







All the contents on this site are copyrighted ©.