2011-07-18 15:05:12

Papa priti në takim kryeministrin e Malajzisë: në qendër të bisedimeve rëndësia e dialogu ndërfetar, marrëveshja mbi marrëdhëniet diplomatike.


Benedikti XVI prit sot paradite në audiencë, në Pallatin Apostolik në Kastelgandolfo, kryeministrin e Malajzisë, Najib Bin Abdul Razak, së bashku me bashkëshorten, me përfaqësues të qeverisë, të bashkësisë fetare islame dhe kryeipeshkvin e Kuala Lumpurit. Pas bisedimeve me Atin e Shenjtë që zgjaten afër 20 minuta, kryeministri Razak u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Bertone dhe sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Mamberti.
“në bashkëbisedime – njofton një deklaratë e Sallës së Shtypit të Vatikanit – janë përmendur zhvillimet pozitive në marrëdhëniet bilaterale dhe është arritur deri te marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Malajzisë e Selisë së Shenjtë. Më tutje, është folur mbi situatën politike e shoqërore në botë e në Kontinentin aziatik, me një referim të veçantë të rëndësisë së dialogut ndërkulturor e ndërfetar për promovimin e paqes, të drejtësisë e të mirëkuptimit sa më të madh ndërmjet popujve”.
Kryeministri Razak, mysliman, kujtoi se ka qenë nxënës i një shkolle katolike drejtuar nga Lasalliani. Papa i dhuroi kryeministrit një qeramikë me pamje të Sheshit të Shën Pjetrit në Vatikan. Ndërsa kryeministri, nga ana e tij, i dhuroi Benediktit XVI një qëndisje të çmueshme me lule, karakteristik e Vendit lindor.
Aktualisht Selia e Shenjtë dhe Malajzia nuk kanë marrëdhënie diplomatike, por Selia e Shenjtë ka delegatin e vet apostolik për Malezinë, imzot Leopoldo Girelli, me rezidencë në Singapor. Në një takim ndërmjet imzot Girellit dhe kryeministrin malajzian, majin e kaluar, është biseduar mundësia që Malezia dhe Selia e Shenjtë të rivendosin marrëdhënie diplomatike. Razak, është i dyti kryeministër malajzian që në dhjetë vjetët e fundit takohet me Papën: takimi i parë qe ai ndërmjet kryeministrit Mahathir Bin Mohamed me Papën Gjon Palin më 7 qershor 2002 në Vatikan. Takimi i sotëm është me rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh se shumica e 28 milion banorëve të vendit të madh të lindjes së largët, është myslimane, por në gjirin e saj jeton edhe një pakicë katolikësh, që japin një kontribut tejet të rëndësishëm. Të krishterët përbëjnë 8% të popullsisë, katolikët, 3%.
Malajzia, është një ndër themeluesit e Shoqatës së Shteteve të Jug-Lindjes Aziatike (ASEAN), është anëtare e Organizatës së Konferencë islamike (Oic) dhe njëra ndër ekonomikë aziatike më të forta.







All the contents on this site are copyrighted ©.