Më 18 korrik kalendari përkujton shën Federikun e Utrehtit, ipeshkëv
“Jeta” e Federikut, e shkruar nga Otberti në shekullin XI, rreth dy shekuj pas vdekjes
së shenjtit. Dihet me siguri se mori pjesë në Koncilin e Maincit të vitit 829, ku
edhe mbajti një fjalim të rëndësishëm për jetën e Kishës. Kujtohet, më pas, në Kartën
e 26 dhjetorit 833 dhe në ‘Jetën’ e Shën Odulfit. Emri i shenjtit kujtohet përsëri
në vitin 834 kur, Rabano Mauro i kushtoi komentin e librit të Jozuehit e shkroi edhe
një këngë lavdërimi për nder të tij. Duke shfletuar ‘Jetën’ e shenjtit, mësojmë
se duhet të ketë lindur aty nga viti 781 nga një familje me origjinë angleze, në Angli
ose në Frizi. I zgjedhur ipeshkëv i Utrehtit pas vdekjes së Rikfredit, ndërmjet viteve
825 e 828, edhe në saje të mbështetjes që i dha perandori Lotari, luftoi kundër paganizmit,
që ishte ringjallur në Frizi pas pushtimit norman, si dhe kundër martesave ndërmjet
njerëzve të një gjaku. Njeri guximtar, e qortoi haptazi perandorin Ludoviku i Përshpirtshëm
për martesën me Juditën, në sa ishte ende gjallë e shoqja, Irmingarda. Perandori,
që ‘i përshpirtshëm’ ishte vetëm për emër, u zemërua aq, sa e mbyti ipeshkvin më 18
korrik 838. Këto të dhëna i gjejmë në disa burime; të tjera shprehin mendimin se shenjtin
e vrau një fisnik i ishullit Valheren, pse ipeshkvi e kishte qortuar rëndë për mëkatet
e tij. Sidoqoftë, vdiq duke kryer shenjtërisht detyrën që i takonte. I varrosur në
kripten e kishës së Shëlbuesit në Utreht, nisi të nderohej si martir në krahina të
ndryshme të Vendeve të Ulta dhe në Fuldë të Gjermanisë. Më 1362 kafka e shenjtit,
e ndarë nga trupi prej ipeshkvit të Folkertit, u mbyll në një relikuar ari e argjendi
dhe u ekspozua për t’u nderuar nga besimtarët. Gjatë reformës u fsheh në një shtëpi
private ku, sipas bolandistit Sipers, ruhej akoma në fillim të shekullit XVIII. Pjesa
tjetër e trupit u zhduk pa gjurmë. Festa e Federikut u vendos në Martiriologun Romak
më 18 korrik.