2011-07-18 13:39:18

Liria e shprehjes nuk duhet kuptuar si mundësi për të shkruar çfarëdo


Ditët e fundit, Instituti italian kërkimor “Censis” dhe Bashkimi Katolik i Shtypit “Ucsi” botuan një raport, që fotografon realitetin aktual të botës së shtypit e të komunikimeve shoqërore në Itali. Një skenar i ngjashëm edhe me vende të tjera, ku mbizotërojnë rrjetet shoqërore si Facebook e Twitter, pra një lloj komunikimi “horizontal” në dëm të thellimit në argumentet e trajtuara. Këto rezultate i komenton në mikrofonin tonë kryetari i Bashkimit Katolik të Shtypit Italian, Antonio Melodia:
Është gati paradoks: nga njëra anë kemi emisionet e lajmeve, këto mjete të jashtëzakonshme, që humbasin besueshmërinë për shkak të gabimeve të krerëve të tyre e, nga ana tjetër, ekziston bindja – pak si tepër foshnjarake – se gjithçka është e lirë e spontane, është edhe me autoritet dhe e kontrolluar. Fatkeqësisht nuk është kështu. Është e nevojshme që kompetenca profesionale të ketë peshë në komunikim, të shërbejë si garanci, si udhëheqje, si fanar në vorbullën e rrymave të mëdha komunikative. Bota e komunikimit në internet ka nevojë të rikolonizohet – nëse mund të shprehemi kështu – me rregulla profesionale, deontologjike e me aftësi, që nuk i ka gjithnjë. Natyrisht, që të ndodhë kjo, gazetarët, të parët, duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, të jenë më autonomë, më të lirë e të mos i nënshtrohen pushtetit të më të fortëve, si atij ekonomik, ashtu edhe atij politik. Një vend, që nuk ka nivel të mirë komunikimi, e dënon veten me kthim mbrapa.
Është në krizë edhe shtypi katolik?
Jo. Më duket se shtypi katolik është më mirë se të tjerët e kjo varet edhe nga fakti se njihet menjëherë, ka një identitet të përcaktuar qartë. Lexohet edhe më me qejf, sepse dihet se mund të gjenden gjëra pak të ndryshme nga lajmet kaq të ngjashme e të njëjta të gazetave të tjera.
Çfarë i kërkohet sot shtypit katolik?
Të vendosë kontakte të vërteta edhe me strukturën territoriale të Kishës – me famullitë, me dioqezat – e të japë një raport informativ të lidhur fort me territorin. Sot, nuk mjafton më shtypi kombëtar: Kisha ka shumë mundësi në këtë fushë e mund të kryejë një shërbim, që nuk e bën bota laike, madje, edhe kur e bën, është i pamjaftueshëm e pa nivel. Ky shërbim quhet “informacioni i afërsisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.