2011-07-18 16:08:12

Briri i Afrikës. Imzot Bertin: thirrja e Papës kërkon përgjigje të menjëhershme. Në rrezik, jeta e miliona njerëzve.


Në vise të ndryshme të Afrikës Lindore, 12 milionë njerëz mund të vdesin nga çasti në çast nga uria. Ndërmjet tyre, më të ligështit janë fëmijët nën moshën pesë vjeçare. Kisha, në vijën e parë të frontit të luftës kundër urisë, thatësirës e reshjeve vrasëse, ka vënë në dispozicion, përmes rrjetit të Karitasit, një shumë prej 300 mijë eurosh. Por, për ta shmangur katastrofën humanitare, bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë me shpejtësinë e vetëtimës. Thirrja e djeshme e Papës për t’i ndihmuar popullsitë e Bririt të Afrikës e, posaçërisht, Somalinë e shkretuar nga thatësira, kërkon përgjigje të përshtatshme e të menjëhershme. Këtë nënvizon, në mikrofonin tonë, administratori apostolik i Mogadishos e ipeshkvi i Gjibutit, imzot Gjorgjio Bertin. Ta ndjekim britmën e tij. Ngrihet pikërisht nga zonat e shkretuara të Afrikës, nën rrezet përvëluese të diellit, që djeg e vret:

Përgjigje: - Jam sigurisht mirënjohës për këtë thirrje të Papës, edhe pse e inkurajon bashkësinë ndërkombëtare të ndërhyjë. Nuk është hera e parë që Benedikti XVI bën thirrje për Somalinë. Kujtoj se disa përfaqësues somalë patën shkruar edhe një letër, duke m’u lutur t’ia dorëzoj Atit të Shenjtë, për ta falënderuar e për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare mbi problemin somal.

Pyetje: - Një thirrje, kjo e Papës, që pret përgjigje të menjëhershme. Duhet vepruar shpejt, sepse situata bëhet gjithnjë më dramatike…

Përgjigje: - Duhet vepruar shpejt; duhet të nisen paratë, të sigurohen ushqimet, të transportohen çadrat. Duhet ca kohë për këtë, e nësa koha kalon, fëmijët, sidomos ata nën moshën pesë vjeç, nuk do të mund të presin. Do të vdesin!

Pyetje: - OKB-ja flet për thatësirën më të tmerrshme, që është parë në këto 60-vjetët e fundit….

Përgjigje: - Në rastin e Somalisë, thatësira është kaq shkatërrimtare, edhe sepse vendi, gjatë 20 vjetëve të fundit, jeton në një situatë pasigurie, konflikti, mungese të plotë të shtetit. Ndërkohë, disa organizata humanitare u detyruan të largohen, për shkak të këtyre kushteve, krejtësisht të papërshtatshme. Disa të tjera, u dëbuan, të akuzuara se ndihmojnë jo për të bërë mirë, por keq. Mendoj se pasiguria dhe përpjekjet për të rindërtuar shtetin, në këtë çast, nuk duhen lënë mënjanë, për të siguruar ndihmën humanitare. Shteti e ndihma duhet të shkojnë krah për krah. Duhet rindërtuar sa më shpejt shteti. E edhe një shoqëri civile, që të funksionojë.

Pyetje: - Pra ju mendoni se duhet një korridor humanitar, një ndihmë konkrete për këtë popullsi, paralelisht me krijimin e një rrjeti politik e shoqëror, që nis të funksionojë. Në sa tani për tani mungon fare…

Përgjigje: - Për fat të keq, mungon, e atëhere mbetet vetëm një mundësi e vogël; ajo tradicionale, roli i pleqve të fisit që, e përsëris, për fat të keq, vitet e fundit është zbehur shumë. Prandaj, edhe për këtë arsye, korridori humanitar duhet studiuar me kujdes të madh, sepse nuk mund të vihet lehtë në praktikë. Është e qartë se mbetet vetëm zona e Mogadishos, ku porti dhe aeroporti, si dhe disa struktura të tjera, janë nën kontrollin e qeverisë federale të tranzicionit, e cila, duhet thënë, nuk është se qeveris shumë. Por, të paktën, në këtë zonë të Mogadishos, ndihmat humanitare mund të lëvizin. Pastaj duhet parë si mund të shpërndahen, duke pasur mirë parasysh se popullsia, e etur dhe e uritur, po lëviz në tre drejtime kryesore: drejt kufirit me Kenian, me Etiopinë dhe drejt Mogadishos. Shpresojmë se nuk do të arrihet në tragjedinë e 1992-it, kur, si pasojë e urisë dhe e çrregullimeve, vdiqën shumë njerëz, ndoshta rreth gjysëm milioni. Shpresoj shumë se bashkësia ndërkombëtare, këtë herë, do të jetë më e shpejtë, duke i njohur mirë edhe vështirësitë, që duhen përballuar, për të arritur, së paku, tek somalët, të cilët vijojnë të jetojnë në Somali.







All the contents on this site are copyrighted ©.