Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot: Somalia, në kulmin e katastrofës humanitare,
duhet ndihmuar nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare.
“Mobilizim ndërkombëtar, për të shpëtuar Somalinë nga uria e nga thatësira e tmerrshme,
që po e shkretojnë, duke mbytur mijëra njerëz, ose duke i detyruar të marrin arratinë”.
Është thirrja e Benediktit XVI pas lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar
në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos. Para thirrjes, Papa reflektoi për kuptimin
e shembëlltyrave ungjillore, të cilat vënë në dukje mirësinë e Zotit dhe ftesën, që
njeriu t’i përngjasë.
Paradoksi i shirave, që shkatërrojnë, e i thatësirës,
që vret! Që i detyron banorët e vendit të shkretuar të ikin nga sytë këmbët, duke
shkelur njëri-tjetrin, në një drejtim të pacaktuar, të panjohur, pa forcë për të arritur
diku. As ata vetë nuk e dinë se ku! Lajmet nga Somalia e nga kjo pjesë lindore e Kontinentit
afrikan, e hidhërojnë pa masë Papën i cili, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, i drejtoi
botës thirrjen e fuqishme të mos rrijë duarkryq përballë kësaj tragjedie: “Me
shqetësim të thellë ndjek lajmet, që vijnë nga zona e Bririt të Afrikës e, në mënyrë
të veçantë, nga Somalia, e dëmtuar rëndë prej thatësirës, e më pas, në disa zona,
edhe prej shirave të rrëmbyera, që po shkaktojnë një katastrofë të vërtetë humanitare.
Njerëz të panumërt ikin nga uria vrasëse, në kërkim të bukës e të ndihmave. Uroj të
shumëfishohet mobilizimi ndërkombëtar për t’u dërguar sa më shpejt ndihma këtyre vëllezërve
e motrave tona, ndërmjet të cilëve, edhe shumë fëmijë, të vënë në provë të rëndë.
Uroj edhe që kësaj popullsie të vuajtur të mos i mungojnë solidariteti e ndihma
konkrete e të gjithë njerëzve vullnetmirë”. Është thirrje për mirësi, kjo
e Benediktit XVI, që pak para kremtimit të Engjëllit të Tënzot, u ndalua pikërisht
tek ky aspekt, që jehon me forcë të veçantë në shembëlltyrën e Ungjillit të së dielës.
Me tregime të kësaj natyre – vërejti Papa - Jezusi na fton të pranojmë se Hyji Atë
duhet të zërë kryet e vendit në jetën tonë, se duhet ta vëmë përmbi gjithçka. Atje
ku nuk është Ai, më kot e kërkojmë mirësinë. Nuk mund të ketë mirësi, atje ku nuk
ka Zot. E Mbretëria e Zotit ka pikërisht kuptimin e sundimit të Zotit, gjë që do të
thotë se vullneti i Tij duhet të jetë në bazë të jetës sonë: “Qielli
nuk duhet kuptuar si lartësi, që shtrihet, pa fund, mbi ne, sepse një hapësirë të
tillë të pafundme ka edhe shpirti njerëzor. Jezusi e krahason Mbretërinë e qiellit
me një arë gruri, për të na ndihmuar të kuptojmë se mbrenda nesh është mbjellur diçka
e vogël, e fshehur, që gjithsesi ka në vetvete një forcë të pamposhtur jetike. Pavarësisht
nga pengesat, fara do të mugullojë. Sythi do të rritet, do të lidhë fryt, e fryti
do të piqet. Ky fryt do të jetë i mirë, vetëm në se trolli i jetës do të kultivohet
sipas vullnetit hyjnor”. Egjra e shembëlltyrës, që armiku e mbjell tinëzisht
në errësirën e natës, simbolizon pengesën. E kjo – vijoi Papa: “…
do të thotë se duhet të jemi gjithnjë gati për ta ruajtur hirin, marrë nga Dita e
Pagëzimit, duke vijuar ta ushqejmë besimin në Zotin, i cili nuk lejon që e keqja të
lëshojë rrënjë në shpirtin njerëzor”. Kështu, njeriu kupton se edhe shpirti
i Tij mund të mbushet plot me mirësi, duke i përngjarë Shpirtit të Shenjtë të Zotit: “E
pohon Psalmi i 85-të: ‘Ti je i mirë, o Zot, e fal; je plot me mëshirë me atë që
të lutet’. Në se jemi bij të një Ati kaq të madh e të mirë, të përpiqemi t’i ngjasim!
Këtë qëllim kishte Jezusi, kur predikonte. Kur u thoshte atyre, që e dëgjonin: “Të
jeni të përkryer, ashtu si i përkryer është edhe Ati juaj qiellor”. Në
përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI i përshëndeti besimtarët
në gjashtë gjuhë të ndryshme. Në gjuhën polake, kujtoi festën e Zojës së Karmelit,
që nderohet edhe si Nëna e Skapolarit: Szkaplerz, to znak szczególnej łączności… “Skapolari
ësht shenjë e posaçme e bashkimit të Jezusit me Marinë. Për ata, që e mbajnë, simbol
i lëshimit të plotë në duart e Zojës së Papërlyer, si biri në dorë të nënës. Në betejën
kundër së keqes, Maria, Nëna jonë, na mbron, duke na mbështjellë me mantelin e saj”.