2011-07-17 09:55:59

Greqi: pasojat e krizës ekonomike peshojnë edhe mbi Kishën katolike.


Edhe Kisha katolike greke i ndjen fort pasojat e krizës së rëndë ekonomike në Vend. E pohon këtë kryeipeshkvi i Athinës, imzot Nikolaos Foskolos i cili, në një intervistë dhënë Cns-së flet për një situatë dramatike. Kjo krizë – nënvizon - mund të jetë më e rënda në të gjithë historinë tonë. E është kryesisht pasojë e korrupsionit, me përmasa të papara ndonjë herë, që ka prekur gjithë shtresën politike. Nuk kemi asnjë ndihmë, as nga shteti e as nga Kishat perëndimore. E besimtarët tanë nuk kanë më ç’të japin. Famullitë janë në gjendje aq të rëndë, sa pas ndonjë muaji, nuk do të kemi më me se t’i paguajmë personelin e nëpunësit tanë. Sipas imzot Foskolos, taksat e rënda, që ka vënë qeveria, për t’iu përgjigjur kërkesave të Evropës e të institucioneve financiare ndërkombëtare, do të peshojnë edhe mbi Kishën katolike e atë ortodokse, edhe ajo e goditur rëndë nga situata aktuale. Jemi pakicë, me prona të pakta e kohët e fundit kemi ndihmuar edhe katolikët e ardhur nga vendet e varfëra, që kalojnë nëpër Greqi, në kërkim të një jete më të mirë në Evropë – shpjegon prelati - duke theksuar se kushtet në të cilat jetojnë disa zona të vendit, të kujtojnë botën e tretë. Kriza i ka detyruar edhe Karitasin grek e Misionaret e Bamirësisë t’i ndërpresin ndihmat që u jepnin deri tani emigrantëve. Në Athinë, në fund të këtij viti, ka shumë mundësi të mbyllen bujtina për të pastrehët e dy mensat për të varfërit. Nuk ka më asnjë fond për t’i mbajtur hapur dyert e bamirësisë, e kjo, pikërisht kur numri i të varfërve në Greqi shtohet frikshëm. Po bëjmë të pamundurën, por deri kur? -pyet me shqetësim të thellë prelati katolik.







All the contents on this site are copyrighted ©.